Na ndajnë vetëm dy ditë nga evenimenti shumë i rëndësishëm i Google

Në Mars kompania prezantoi funksionalitete AI për Gmail dhe Docs por i lançoi vetëm për “testuesit” e besueshëm.

Evenimenti Google I/O është vetëm dy ditë larg dhe një raport i ri nga CNBC ka zbuluar disa prej përditësimeve madhore AI që pritet të njoftohen në këtë ngjarje.

Një komponent shumë i rëndësishëm do të jetë një model i ri gjuhësor, PaLM 2, që CNBC thotë se është modeli më i avancuar dhe më i fundit i Google.

Ky model ka arritur të kryejë disa detyra kodimi dhe matematikore por edhe të shkruajë përmbajtje kreative apo të bëjë analizë.

Versioni i parë i PaLM është prezantuar në Prill të 2022, muaj përpara se një boom AI të niste nga ChatGPT. CNBC raportoi se Google gjithashtu do të prezantojë eksperienca të reja për motorin e kërkimit dhe Bard, robotin e saj bashkëbisedues me AI që lançoi si eksperiment në muajin Mars.

Aktualisht Bard është i disponueshëm vetëm në SHBA dhe Britani.

Së fundi Google do të japë më shumë mjete AI për platformën e produktivitetit Workspace siç është gjenerimi i Sheets, imazheve, Slides apo i takimeve në Google Meet.

Në Mars kompania prezantoi funksionalitete AI për Gmail dhe Docs por i lançoi vetëm për “testuesit” e besueshëm.

Por evenimenti I/O nuk do të jetë i gjithi për AI. Presim që kompania të prezantojë telefonin me ekran me palosje Pixel Fold dhe tabletin Pixel.