Napoli mbetet “thatë”, talenti spanjoll zgjedh një tjetër klub

Gabri Veiga prej kohësh ishte shndërruar në objektivin kryesor të Napolit këtë merkato. Të kaltrit kishin një akord me Celta Vigon, klubin që zotëron kartonin e 21-vjeçarit. Kampionët e Italisë ishin të gatshëm të paguanin 36 milionë euro për Veigan dhe palët dukeshin vërtet shumë pranë marrëveshjes disa ditë më parë, por një ngërç në lidhje me të drejtat e imazhit të futbollistit bëri që tratativat të zgjateshin.

Tashmë, përfundimi me sukses i këtij operacioni vështirësohet edhe më shumë pasi në lojë është futur klubi arab i Al Ahli. Këta të fundit kanë barazuar ofertën prej 36 milionë eurosh të Napolit dhe tashmë po negociojnë me Veigan. Spanjolli duket vërtet i tunduar për t’u transferuar në Arabinë Saudite edhe pse është në një moshë e cila i lejon të luajë në top klubet europiane.

Megjithatë, edhe njëherë burimet financiare të arabëve duket se do të bëjnë diferencën dhe Veiga mund të jetë goditja e radhës së Al Ahli që në merkato ka transferuar emra si Edouard Mendy, Roger Ibanez, Franck Kessie, Ezgjan Alioski, Roberto Firmino, Allan Saint-Maximin dhe Riyad Mahrez.