Nis “çnderimi” i udhëheqëses së Mianmarit

Udhëheqëses së Mianmarit, Aung San Suu Kyi, do t’i hiqet titulli “Liria e qytetit të Oksfordit”, për shkak të reagimit të saj ndaj krizës me myslimanët “Rohingya”.

Këshilli i Oksfordit vendosi unanimisht se nuk ishte më e përshtatshme të nderohej Suu Kyi dhe zyrtarisht titulli do t’i hiqet më 27 nëntor.

Muajt e fundit, udhëheqësja “de facto” e Mianmarit ka tërhequr shumë kritika, pasi duket se mbron trajtimin e pakicës etnike myslimane “Rohingya” nga autoritetet, që nga OKB-ja është cilësuar si shembull perfekt i “spastrimit etnik”./topchannel/

Këshilli i Oksfordit e vlerësoi me titullin në fjalë Suu Kyi në vitin 1997, kur ajo ishte e burgosur politike e juntës ushtarake, por duket qartë se kanë ndryshuar shumë gjëra që atëherë.

Më herët, Kolegji i Oksfordit, ku Suu Kyi ka studiuar, hoqi foton e saj nga galeria publike. Shumë institucione të tjera britanike, që kanë vlerësuar fituesen e çmimit Nobel për Paqen, po konsiderojnë masa të njëjta, ndërsa shtohen gjithnjë e më shumë zërat që asaj t’i hiqet edhe Çmimi Nobel.

Qindra e mijëra myslimanë “Rohingya” ia kanë mbathur në Bangladesh, pas dhunës së ushtruar ndaj tyre nga autoritetet në Mianmar, e përshtypja e përgjithshme e komunitetit ndërkombëtar është se Aung San Suu Kyi nuk ka ndërmend të bëjë asgjë për ta ndaluar këtë spastrim etnik, madje është dakord me të./Mesazhi/