Nisin sërish kërkimet për avionin e zhdukur të Malaysia Airlines

Pas një viti përsëri do të fillojnë kërkimet për avionin e zhdukur të Malaysia Airlines, raporton Anadolu Agency (AA).

Qeveria malajziane ka miratuar propozimin për rifillimin e kërkimeve për avionin që u zhduk në vitin 2014 në Oqeanin Indian.

Ministri malajzian i Transportit, Liow Tiong Lai konfirmoi se është miratuar propozimi që në pjesët jugore të oqeanit përsëri të fillojnë kërkimet për avionin e zhdukur tre vite e gjysëm më parë.

Avioni MH370 u zhduk më 8 mars 2014 në fluturimin nga Kuala Lumpuri për në Pekin me 239 pasagjerë. Pas një ore, ai ndërpreu dërgimin e sinjaleve në kullën e kontrollit të fluturimeve dhe u zhduk nga radari.

Pak ditë pas zhdukjes misterioze, qeveria malajziane deklaroi se avioni ishte “zhdukur”, por se të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi ishin të vdekur.

Deri më tani, ky ishte kërkimi më i shtrenjtë në historinë e aviacionit civil, i cili filloi më 18 mars 2014, në një sipërfaqe prej më shumë se 4.5 milionë kilometra katrorë.

Pas kërkimit të avionëve dhe anijeve, përparësi u është dhënë kërkimeve nënujore, të cilat gjithashtu nuk dhanë rezultate. Kërkimet u pezulluan pas 1.046 ditësh, më saktësisht në janar të vitit të kaluar.