Ballina Artikuj Një komb, një reflektim.

Një komb, një reflektim.

Sead Ramadani

Kombi shqiptar, në mungesë të unitetit politik, kulturor dhe gjeografik, po i përjeton vazhdimisht pasojat e ndarjeve të tij. Jetojmë të ndarë me kufij shtetërorë dhe me politika të ndryshme, por e keqja më e madhe e këtyre ndarjeve nuk qëndron vetëm te kufijtë që u vendosën nga fuqitë e mëdha. E keqja më e madhe është se, me kalimin e kohës, një pjesë e kësaj ndarjeje është pranuar edhe në mendësinë tonë.
Kur i ndodh diçka Shqipërisë, shpesh dëgjojmë se shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi apo të Luginës nuk duhet të përzihen, sepse gjoja ajo është vetëm çështje e Shqipërisë. Kur i ndodh diçka Kosovës, përsëri krijohet përshtypja se kjo është vetëm çështje e Kosovës dhe se të tjerët duhet të heshtin. Kjo mendësi na ka bërë që, në një masë të dhimbshme, shqiptarët e Kosovës të mos i ndjejnë shqiptarët e Shkupit, Kumanovës si Kosovar edhe pse ishin pjesë e Kosovë madje Shkupi kryeqytet i Kosovës.
Ndarja gjeografike është një realitet politik. Por ndarja e mendësisë është një plagë që ne vetë duhet ta shërojmë.
Pasojat e ndarjeve të krijuara në fund të shekullit XIX dhe të konsoliduara përgjatë shekullit XX kanë qenë marramendëse për shqiptarët. Copëtimi, masakrimi, torturat, dëbimet, shpërnguljet, asimilimi dhe përpjekjet për tjetërsimin e identitetit kombëtar kanë prekur shqiptarët në pjesë të ndryshme të hapësirës sonë.
Prandaj, sot nuk mjafton vetëm të ankohemi për pasojat e historisë. Duhet të ndërtojmë një vetëdije të re kombëtare, e cila i kapërcen kufijtë politikë dhe administrativë.
Kërkohet një vetëdijesim të popullatës shqiptare për veprime unifikuese mbarëkombëtare, në mënyrë që zëri dhe reagimi ynë të kenë efektivitet aty ku vendoset për fatin tonë.
Nuk mund të shiten toka në Kosovë dhe shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi apo Luginë të Preshevës të mos shqetësohen. Nuk mund të shiten toka në Shqipëri dhe shqiptarët e viseve të tjera shqiptare të mos e konsiderojnë këtë si çështje që i prek edhe ata. Nuk mund të përbuzet apo shtrembërohet historia e Kosovës dhe Shqipëria e shqiptarët e tjerë të heshtin. Po ashtu, nuk mund të përbuzet, mohohet apo tjetërsohet historia e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe të mos reagojnë shqiptarët kudo që jetojnë.
E njëjta përgjegjësi duhet të ekzistojë për çdo çështje që prek interesat, historinë, identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve, pavarësisht se në cilën anë të kufirit ndodh.
Kjo nuk do të thotë të mohojmë realitetet shtetërore ku jetojnë shqiptarët, por të paktën të mos lejojmë që kufijtë shtetërorë të shndërrohen në kufij të vetëdijes sonë kombëtare.
Kërkohet angazhim maksimal drejt qëndrimeve të përbashkëta dhe veprimeve unifikuese gjithshqiptare ndërkufitare, në mënyrë që të jemi më të organizuar, më të koordinuar dhe më efektivë në ecjen tonë kombëtare drejt idealeve të Rilindasve.
Sepse një komb që reagon i ndarë, dobësohet nga ndarjet.
Një komb që mendon së bashku, krijon forcë.
Një komb. Një reflektim.

Sead Ramadani