Një peticion online kërkon që Microsoft të mbështesë Windows 10-ën përtej 2025

Windows 11-ta nuk mund të instalohet në disa kompjuterë të vjetër Windows 10 për shkak të kërkesave më të larta për resurse harduerike edhe pse kompjuterët funksionojnë normalisht.

Presioni mbi Microsoft për të shtyrë mbështetjen për Windows 10-ën po shtohet, sistemi operativ i cili aktualisht është më i përdorur në botë.

Një peticion online i lançuar nga Public Interest Research Group (PIRG) i kërkon gjigantit të Windows të ofrojë përditësime sigurie për Windows 10-ën përtej Tetorit 2025, momentin kur Microsoft ka vendosur ta braktisë platformën.

PIRG është një shoqatë jo-fitimprurëse Amerikane dhe Kanadeze e cila në mesin shumë aktiviteteve të saj punon për mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas PIRG miliona kompjuterë Windows do të shndërrohen në mbetje elektronike pasi Microsoft ti japë fund mbështetjes për Windows 10-ën në 2025.

Windows 11-ta nuk mund të instalohet në disa kompjuterë të vjetër Windows 10 për shkak të kërkesave më të larta për resurse harduerike edhe pse kompjuterët funksionojnë normalisht.

Shumë përdorues të Windows 10-ës gjithashtu nuk do të përballonin koston e një kompjuteri të ri duke krijuar hapësira për rritjen e rrezikut.

Mbi të gjitha miliona kompjuterë të vjetër do të shndërroheshin në mbetje elektronike duke vendosur një barrë tjetër mbi ambientin. Sipas PIRG, 40 përqind e kompjuterëve ekzistues me Windows 10 nuk mund të instalojnë Windows 11-ën.

Është përllogaritur se gjatë të Martës së parë të Tetorit 2025, Microsoft do të ofrojë përditësimin e fundit të sigurisë për Windows 10-ën. Dhe aty mbaron çdo gjë pasi Microsoft nuk do të adresojë më problemet e sigurisë që zbulohen në Windows 10 pas asaj date. Me fjalë të tjera përdorimi i sistemit operativ pas këtij afati konsiderohet rrezik i lartë sigurie.