
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka dënuar sulmin e fundit të rebelëve Huthi ndaj aeroportit ndërkombëtar King Khalid në Riad, i cili la të vdekur 12 persona dhe plagosi më shumë se 300 të tjerë.
Sharif deklaroi se Pakistani do të bashkëpunojë me Arabinë Saudite “në çdo mënyrë të mundshme”, duke e cilësuar sulmin si një vijë të kuqe. Ai theksoi se marrëveshjet e mbrojtjes mes dy vendeve, si dhe lidhjet e tyre, kërkojnë që Islamabadi të mos tolerojë asnjë formë agresioni ndaj Mbretërisë.
Kryeministri pakistanez shtoi se mbrojtja e qyteteve të shenjta të Mekës dhe Medinës është përgjegjësi e miliona myslimanëve në mbarë botën. Megjithatë, ai u shpreh se shpreson që situata të zgjidhet në mënyrë paqësore.
Edhe Ministria e Jashtme e Pakistanit e dënoi sulmin, duke e cilësuar shënjestrimin e një aeroporti civil si akt terrorist dhe shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, si dhe kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale.
Sulmin e dënoi gjithashtu kryetari i Asamblesë Kombëtare të Pakistanit, Ayaz Sadiq, i cili riafirmoi mbështetjen e vendit të tij për sovranitetin dhe sigurinë e Arabisë Saudite.
Pakistani, Turqia dhe Arabia Saudite nënshkruan një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje në gusht të këtij viti, sipas së cilës një sulm ndaj cilitdo prej tri vendeve do të konsiderohet sulm ndaj të gjithave. Ushtria pakistaneze konfirmoi javën e kaluar se forcat e saj janë dislokuar në Arabinë Saudite në kuadër të kësaj marrëveshjeje.
Ndërkohë, sulmet e Huthëve ndaj objekteve të aviacionit civil saudit janë intensifikuar ditët e fundit, në një kohë kur vazhdon konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. /mesazhi







