Patëllxhanë të pjekur në furrë me qepë – Sallata e veçantë

Çdo ditë kërkojmë receta të ndryshme me shije unike të cilat pasurojnë tryezat tona e sjellin kënaqësi tek të dashurit tanë.

Të thjeshta për t’u përgatitur e që nuk kërkojnë shumë kohë për të qenë gati, sigurisht.

Një nga perimet që mund të përshtatet pothuaj për të gjitha mënyrat e gatimit e të ruajë shijen e veçantë është pikërisht patëllxhani.

Piper, borzilok, nenexhik, majdanoz, hudhër, rigon, vaj ulliri e kripë, të gjitha këto do t’ju duhen për të arritur shijen e duhur.
Përbërësit

  • 500g patëllxhanë
  • 10 gjethe nenexhik
  • Rigon
  • 1 thelbi hudhër
  • Kripë
  • Piper i kuq
  • 2 qepë të thata
  • 1 tufë me majdanoz
  • 10 gjethe borzilok
  • Vaj ulliri
  • Piper i zi

Përgatitja

Si fillim lani dhe thani mirë patëllxhanët dhe qepët dhe vendosini ata në një tavë të shtruar me letër pjekjeje.

Nëse dëshironi mund edhe t’i prisni në copa mesatare, por për të shkurtuar kohë mund t’i lini të plota.

Piqini në furrë të ngrohur në 180 gradë për 40-50 minuta. Nëse i prisni në copa sigurisht pjekja do të jetë më e shpejtë.

Pasi perimet të jenë gati lërini të ftohen pak dhe filloni t’i prisni në feta edhe më të vogla.

Kalojini perimet e prera në një task u do të marinoni dhe do të përgatisni sallatën tuaj.

Shtoni me kripën, hudhrën e shtypur ose të grirë, piperin e zi dhe vajin e ullirit.

Përziejini me ndihmën e një luge në mënyrë që perimet të kriposen sa duhet.

Më pas vazhdoni me borzilokun, majdanozin, rigonin, piperin e kuq dhe nenexhikun.

Përsëri përziejini që erëzat e njoma të lëshojnë edhe aromën e tyre karakteristike.

Nëse dëshironi mund ta shërbeni të ngrohtë. Por për një shije akoma edhe më të përqëndruar, lini sallatën për 20 minuta në frigorifer.

Kjo sallatë mund të jetë shoqëruesja perfekte e pjatave të mishit apo për të shoqëruar patatet e pjekura.