Plaçkitet Manuel Pellegrini

Futbollisti i njohur dhe eksperti i futbollit kilian, Manuel Pellegrini u plaçkit nga sulmues të armatosur në vendlindjen e tij, Kili, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trajneri i sapoemëruar i klubit londinez West Ham, Pellegrini përjetoi një situatë shumë të keqe gjatë pushimeve në vendlindje.

Sipas mediave angleze, Pellegrini u sulmua dhe u plaçkit teksa po shkonte në një restorant në Santiago me gruan dhe miqtë e tij.

Sulmuesit e armatosur morën çantën e gruas së Pellegrinit dhe me automjetin e vjedhur u larguan nga vendngjarja. Në ikje sulmuesit hapën zjarr ndaj policisë e cila u përpoq t’i ndalonte, kurse disa orë më vonë policia gjeti automjetin e sulmuesve.

Pellegrini dhe shoqëria e tij nuk pësuan asgjë nga sulmi.

“Falënderoj policinë për reagimin e guximshëm dhe të shpejtë. Falënderoj edhe qytetarët që na dolën në ndihmë. Shpresoj që policia të marrë më shumë autorizim në luftën kundër krimit në Kili”, ka thënë Pellegrini.

Në karrierën e tij të pasur si trajner, Pellegrini ka drejtuar klubet si Universidad de Chile, Palestino, O’Higgins, Universidad Católica, LDU Quito, San Lorenzo, River Plate, Villarreal, Real Madrid, Málaga, Manchester City dhe Hebei China Fortune. Ndërsa kohën e fundit nënshkroi kontratë me West Ham.