Presidenti i Kenias propozon monedhë të vetme për Afrikën

Presidenti i Kenias, William Ruto, bëri thirrje për krijimin e një monedhe të vetme afrikane për të lehtësuar tregtinë në kontinent, raporton Anadolu.

Duke mbajtur fjalimin e tij të parë në samitin e 22-të të krerëve të shteteve dhe qeverive të Tregut të Përbashkët për Afrikën Lindore dhe Jugore (COMESA) në Lusaka, Zambia, Ruto tha se insistimi për integrimit rajonal nënkupton që qytetarët nuk do të duhet të shqetësohen se me cilën monedhë të tregtojnë.

“Popujt tanë nuk mund të tregtojnë pa u shqetësuar se cilën monedhë të përdorin. Kjo, midis barrierave të tjera jotarifore, është diçka që duhet ta adresojmë urgjentisht në mënyrë që njerëzit tanë të fillojnë të tregtojnë së bashku dhe të integrohen”, tha Ruto.

Samiti u zhvillua nën temën “Integrimi ekonomik për një COMESA në prosperuar, të bazuar në investimet e gjelbra, vlerën e shtuar dhe turizmin”.

Duke iu drejtuar samitit, presidenti i Malawi-t, Lazarus Chakwera, tha se rajoni nuk mund të humbasë më shumë kohë në përpjekjen për të arritur integrimin rajonal.

“Potenciali për tregtinë brenda COMESA-s është kolosal. Kërkesa për produkte me vlerë të shtuar do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen, që do të thotë se ne nuk mund të mbetemi më prapa në përpjekjen për të arritur integrimin rajonal”, tha Chakwera.

Kryetari i COMESA-s, Abdel Fattah El-Sisi, presidenti i Egjiptit, tha se blloku kishte një treg prej 580 miliardë dollarësh me më shumë se 720 milionë njerëz, duke shtuar se nuk sheh asnjë justifikim që tregtia të mos rritet.

El-Sisi u bëri thirrje vendeve anëtare që të bashkëpunojnë në ndërtimin e infrastrukturës që do të lehtësonte lëvizjen e mallrave dhe njerëzve në rajon, për të promovuar integrimin.

Nikoqiri dhe presidenti i Zambisë, Hakainde Hichilema, tha se rajoni duhej të ruante paqen dhe stabilitetin si parakusht për zhvillimin socio-ekonomik.

“Paqëndrueshmëria kudo është paqëndrueshmëri gjithkund dhe guxoj të them se pa paqe, siguri dhe stabilitet, nuk mund të ketë zhvillim socio-ekonomik”, tha Hichilema, të cilit El-Sisi ia dorëzoi zyrtarisht kryesimin e bllokut gjatë samitit.