Presidenti kroat: Izraeli udhëhiqet nga një klikë kriminale!

Kim Mehmeti

Ka ditë që të gjithë sytë e botës janë kthyer nga Teherani dhe Tel Avivi ku bien raketat e çmendurisë njerëzore. Me çka Izraeli e arriti qëllimin që askush të mos shikoj drejtë Gazës të shndërruar në kampin më të madh të shfarosjes dhe përqendrimit në botë.

Ndërkohë mediat raportojnë se përpos Presidentit turk edhe ai kroat e paska thënë hapur se ‘Izraeli udhëhiqet nga një klikë kriminale, e cila dëshiron ta fusë botën në luftë’.

Pra edhe në rrethana kur thuajse i tërë Perëndimi ia mundëson Izraelit ta ‘mbrojë’ vetveten duke vrarë fëmijë palestinezë, ka edhe burrështetas që hapur e thonë atë që e heshtin vrasësit pa dinjitet: se Gaza është një varrë masiv fëmijësh, një hapësirë e mbuluar me gjymtra fëmijësh pa kokë, ku dëgjohet vetëm piskama e prindërve të fëmijëve të vrarë, ku digjen të gjallët e përfshirë nga flakët, ku uria përdoret si armë dhe ku zbatohet zhdukja e familjeve dhe brezave të tërë, ku çrrënjoset jeta e mbillet vdekja.

Po pra sot të gjithë me ankth presin ku do bien raketat e lëshuara nga Irani drejtë Izraelit dhe anasjelltas. Dhe nga shpërthimi dhe flaka e tyre as dëgjohet as shihet ajo që donte ta fsheh Izraeli: jo gjenocidin, por shfarosjen e palestinezëve.

Shfarosje e kryer në bashkëpunim me qeveritë e shteteve më të forta e më të pasura të Perëndimit.

Nga: Kim Mehmeti