Protestuesit nuk ndalen, presidenti algjerian njofton dorëheqjen

Presidenti algjerian Abdelaziz Bouteflika ka vendosur të heqë dorë nga posti brenda datës 28 prill. Fillimisht Bouteflika kishte vendosur të rikandidonte për një mandat tjetër në krye të vendit, por pas protestave popullore vendosi ta tërheqë kandidimin. Mesa duket, as ky vendim nuk i ka qetësuar algjerianët, të cilët kërkojnë largimin menjëhershëm të tij.

82-vjeçari Abdelaziz Bouteflika drejton vendin prej vitit 1999 dhe prej pesë vitesh ai nuk shfaqet dhe nuk mban fjalime në publik për shkak të problemeve të rënda me shëndetin. Është thuajse i tëri i paralizuar dhe shumicën e kohës kurohet jashtë vendit.

Protestat në Algjeri po zhvillohen kundër gjithë sistemit politik dhe rrethit të ngushtë të pushtetit. Sipas protestuesve, Bouteflika kontrollohet nga një grup i vogël politik, ushtarak dhe ekonomik që ka marrë në dorë Frontin e Lirisë Kombëtare, partinë që drejton vendin prej pavarësisë në vitin 1962.