Qeveria populiste çeke hedh poshtë paktin e BE-së për migracionin

Qeveria e re e koalicionit në Republikën Çeke kundërshton paktin e migracionit të Bashkimit Evropian dhe po përgatit një plan të ri, raportoi “Radio Prague International”, transmeton Anadolu.

Qeveria populiste e udhëhequr nga Andrej Babis, kryeministër dhe udhëheqës i partisë ANO, planifikon ta refuzojë paktin dhe të përgatisë një rregullore të re mbi migracionin dhe azilin.

Duke folur para gazetarëve të martën, Babis, i cili fitoi zgjedhjet e tetorit, tha se qeveria do të marrë pjesë aktive në përpjekjet e vendeve të BE-së për të gjetur zgjidhje reale për migracionin jashtë territorit të Unionit.

Sipas ish-ministrit të Brendshëm, Vit Rakusan, duke refuzuar paktin e migracionit, vendi do të humbasë mjetet kundër migracionit të paligjshëm që do të mbeteshin te shtetet fqinje.

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka refuzuar gjithashtu zbatimin e paktit të migracionit të BE-së, duke thënë se qeveria e tij nuk do të shpenzojë “asnjë qindarkë për to”.

Qeveritë e BE-së miratuan paktin për migracionin dhe azilin në maj 2024, pavarësisht kundërshtimit nga Polonia, Hungaria dhe Sllovakia. Ai synon të shpërndajë azilkërkuesit në mënyrë të barabartë në të gjitha shtetet anëtare dhe të reformojë procedurat kufitare dhe të azilit të bllokut.