Rinumërimi në Prishtinë duhet të bëhet në prani të kamerave

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së sotme ka bërë kërkesë që të rinumërohen votat e zgjedhjeve të së dielës në të gjitha vendvotimet në Prishtinë.

Kjo sipas tyre, sepse të gjithë gabimet deri më tani gjatë numërimit janë bërë në disfavor të kandidatit të tyre, Arban Abrashit.

Pas kërkesës së tyre, PZAP ka njoftuar LDK-në se pas 72 orëve do të marrin përgjigje nëse kjo kërkesë do të merret parasysh apo jo.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se nëse vendoset për rinumërim, është e rëndësishme të ketë transparencë.

“Më e rëndësishmja është që të ketë transparencë të plotë në procesin e rinumërimit të votave. Është çështje tjetër se kush do të dalë fitues, por thelbësore është që vullneti i votuesve të çohet në vend. Nuk është e mundur të dihet nëse rinumërimi i votave do të mund të përmbyste rezultatin. Por, pretendentët për kryetarë duhet të përmbahen nga gjuha e fushatës dhe t’i lënë institucionet përkatëse të punojnë lirshëm dhe jo nën presion”, ka thënë Mushkolaj.

Edhe analisti Donik Sallova ka thënë për Indeksonline se duhet të ketë transparencë gjatë rinumërimit. Ai madje ka thënë se rinumërimi duhet të bëhet në prani të publikut ose të kamerave.

“Rinumërimi me synimin për ta përmbysur rezultatin me çdo kusht nuk duhet te lejohet nga PZAP, sepse një ndryshim ne tavoline i vullnetit te votuesve do te nxisë tensionim te situatës . Çdo fakt për parregullsi duhet te dëshmohet nga KQZ dhe çdo rinumërim eventual duhet te behet ne prani te publikut (kamerave), përndryshe procesi dhe çfarëdo rezultati nuk do te jete i besueshëm”, është shprehur Sallova.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka arritur të sigurojë rreth 200 vota më shumë në zgjedhjet e së dielës kundrejt kandidatit të LDK-së, Arban Abrashi.