Rusia përgatitet të ndalojë përdorimin e çmimit tavan në tregtinë e naftës

Zëvendëskryeministri i Rusisë, Alexander Novak tha se nuk do t’u shesin naftë dhe produkte të naftës vendeve që zbatojnë çmimin tavan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për kanalin shtetëror rus “Rossiya-24”, Novak foli mbi dakordimin e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) për zbatimin e çmimit tavan me 60 dollarë për fuçi për naftën që transportohet me rrugë detare nga Rusia.

Ai tha se Rusia do të vazhdojë të shesë naftë në kuadër të kushteve të tregut. “Edhe sikur të mbesim të detyruar për të pakësuar prodhimin tonë të naftës, ne do t’u shesim naftë dhe produkte të naftës vetëm vendeve që punojnë me ne në kushtet e tregut”, tha Novak.

“Qeveria e Rusisë shumë herë ka theksuar se ky vendim është në kundërshtim me tregun, jo i frytshëm dhe një mjet në kundërshtim me të gjitha rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë”, tha Novak i cili shtoi se zbatimi i çmimit tavan shkel rregullat e tregut.

Zv/kryeministri rus tha se janë përgatitur të ndalojnë përdorimin e mjeteve lidhur me zbatimin e çmimit tavan. “Po punojmë mbi mekanizmat që do të ndalojnë përdorimin e mjeteve të çmimit tavan. Zbatimi i çmimit tavan mund të shkaktojë destabilitet, mungesë të burimeve të energjisë dhe rënien e investimeve”, tha ai.

Vendet e BE-së më 2 dhjetor ranë dakord për zbatimin e çmimit tavan me 60 dollar për fuçi për naftën që transportohet nga Rusia me rrugë detare.

Vendet e G7-të dhe të BE-së që nga sot (5 dhjetori) do të zbatojnë në të njëjtën kohë ndalesën e importit për naftën që transportohet nga Rusia me rrugë detare.