SHBA padit themeluesin e WikiLeaks, Assange për konspiracion

Shtetet e Bashkuara akuzuan të enjten themeluesin e WikiLeaks Julian Assange për konspiracion në hakerimin e një kompjuteri lidhur me publikimin e qindra mijëra dokumenteve të klasifikuara amerikane, vetëm pak orë pasi policia britanike e arrestoi atë në ambasadën ekuadoriane në Londër, ku ai qëndronte për gati shtatë vjet.

Aktakuza ndaj Julian Assange rrjedh nga një prej shkeljeve më të mëdha të informacionit të klasifikuar në historinë amerikane, publikimit nga WikiLeaks në vitin 2010 të një numri të madh të dhënash ushtarake amerikane në luftërat e saj në Afganistan dhe Irak, vlerësimet e terroristëve të dyshuar të mbajtur nga Shtetet e Bashkuara në Guantanamo të Kubës dhe 250,000 komunikimeve kabllore të Departamentit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Assange-n për komplot me ish-analisten e zbulimit të Ushtrisë Amerikane Chelsea Manning, të njohur më parë si Bradley Manning përpara se ta deklaronte veten si grua, për të deshifruar një fjalëkalim në kompjuterat e Departamentit amerikan të Mbrojtjes duke hakeruar në një rrjet qeveritar të dokumenteve dhe komunikimeve të klasifikuara të njohura si Rrjeti i Protokollit Sekret në Internet. Qeveria amerikane thotë se deshifrimi i fjalëkalimit, e lejoi Manning të hynte në kompjuterat me një emër përdoruesi që nuk i përkiste asaj, duke e bërë fillimisht më të vështirë për autoritetet të përcaktonin burimin e zbulimeve të paligjshme.

Qeveria tha se Assange dhe Manning u angazhuan në diskutime në kohë reale, ndërsa ajo transmetoi të dhënat e klasifikuar tek Julian Assange që WikiLeaks pastaj i publikoi. Sipas aktakuzës, gjatë një diskutimi, Manning i tha Assange-it: “Pas kësaj ngarkimi, kjo është e gjitha që kam”, ndaj të cilës Assange u përgjigj: “në përvojën time, sytë kurreshtarë kurrë nuk pushojnë”.

Pas këtij shkëmbimi, pohon padia, Manning hyri në komunikimet kabllore të Departamentit të Shtetit që WikiLeaks më vonë i publikoi.

Assange, 47 vjeç, është akuzuar për komplot për të kryer ndërhyrje kompjuterike dhe, nëse dënohet, përballet me një burgim pesëvjeçar.

35-vjeçarja Manning kreu shtatë vjet burgim për rolin e saj në zbulimin e dosjeve sekrete.

Dënimi u shkurtua nga ish-presidenti Barack Obama disa ditë para se Obama të përfundonte mandatin e tij në janar të vitit 2017.

Presidenti i Ekuadorit Lenin Moreno lëshoi një deklaratë të enjten ku shpjegon vendimin e vendit të tij, duke thënë se Assange kishte “arritur kufirin” me sjelljen e tij.

“Po njoftoj sot se sjellja e pahijshme dhe agresive e Julian Assange, deklaratat armiqësore dhe kërcënuese të organizatës së tij kundër Ekuadorit dhe veçanërisht, shkeljet e traktateve ndërkombëtare, e kanë çuar situatën në një pikë ku azili për të nuk mund të zgjatet dhe nuk është më praktik. Ekuadori ka vendosur të ndërpresë azilin diplomatik që i është dhënë Assange që nga viti 2012”. /