Burime mjekësore në Gaza kanë bërë të ditur të dielën se numri i të vrarëve që nga fillimi i agresionit izraelit më 7 tetor 2023 ka arritur në 55,959 persona, shumica gra dhe fëmijë.
Numri i të plagosurve ka shkuar në 131,242, ndërsa shumë viktima mbeten ende nën rrënoja, të paarritshme nga ekipet e ambulancës dhe të mbrojtjes civile.
Vetëm në 24 orët e fundit, në spitalet e Gazës janë dërguar trupat e 51 personave të vrarë dhe 104 të plagosur. Tre prej trupave janë rikuperuar pas orësh kërkimi.
Që nga 18 marsi, kur Izraeli theu armëpushimin dhe rifilloi ofensivën ushtarake, janë vrarë të paktën 5,647 palestinezë dhe janë plagosur 19,201 të tjerë.
Burimet theksojnë se shumë trupa mbeten ende në rrugë apo nën rrënoja, pasi mungesa e karburantit dhe bombardimet vazhdojnë të pengojnë ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit. /mesazhi








