Shpërthen diga, duke krijuar valë prej 2 km, dhjetëra të vdekur

Të paktën 41 njerëz kanë vdekur pasi shirat e dendur shkaktuan shpërthimin e një dige në Keni, duke shkatërruar qindra shtëpi e duke përmbysur një zonë të gjerë bujqësore.

Shpërthimi ndodhi të mërkurën pranë qytetit të Solai, 190km në veriperëndim të kryeqytetit, Nairobi.

Të vdekurit mendohet se përfshijnë fëmijët dhe gratë e bllokuara në baltë. Kryqi i Kuq kenian thotë se ka shpëtuar deri tani rreth 40 njerëz.

Më shumë se 2,000 vetë thuhet se janë lënë të pastrehë.

Zyrtarët lokalë thonë se shkalla e plotë e dëmit nuk është ende e qartë. Ekziston frika se numri i të vdekurve mund të rritet ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon.

Shirat e dendur në Kenia dhe shtetet e tjera rajonale vijnë pas një thatësie të rëndë, çka shkaktoi mungesa ushqimore për miliona njerëz.

Njëmbëdhjetë trupa, kryesisht gra dhe fëmijë, u gjetën në një plantacion kafeje, tha një oficer policie për agjencinë e lajmeve AFP.

Duket se ata po iknin, por “nuk mundën për shkak të forcës dhe shpejtësisë së ujit nga diga e përmbytur”, shtoi oficeri.

Diga Patel, e vendosur në tokë bujqësore private, thuhet se përdoret për ujitje dhe blegtori. Diga shkatërroi muret e saj dhe fshiu qindra shtëpi në drejtim të rrymës.

Pjesa më e madhe e zonës u shkatërrua tërësisht si linja elektrike, shtëpitë dhe ndërtesat.

Një shkollë e mesme u përmbyt, ndërsa një shkollë fillore u zhduk.

Trupat e dy grave u zbuluan disa milje larg zonës së prekur nga shpërthimi i digës, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan një zhurmë të madhe para se valët të depërtonin afërsisht 2 kilometra tokë bujqësore ku shumë njerëz jetojnë dhe punojnë.

“Uji ka shkaktuar shkatërrim të madh të jetës dhe të pronës. Shkalla e dëmit ende nuk është përcaktuar”, tha Lee Kinyajui, guvernator i Qarkut Nakuru.

Miriam Karimi tha për AFP se ajo nuk kishte qenë në gjendje të gjente tre fëmijët e saj pas, duke përfshirë edhe djalin katërvjeçar.

“Jam shumë e hutuar, shpresoj se ata janë gjallë”, tha ajo.