Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëri, përsëri tubim në mbështetje të Palestinës

Shqipëri, përsëri tubim në mbështetje të Palestinës

Në Shqipëri është mbajtur përsëri një tubim në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez, duke u dënuar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve dhe duke u bërë thirrje për ndalimin e masakrave ndaj popullit palestinez, raporton Anadolu.

Tubimi me moton “Stop gjenocidin në Gaza” është organizuar në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë me thirrjen e aktivistëve dhe disa organizatave të shoqërisë civile dhe me mbështetjen e qytetarëve.

Të pranishmit në tubim me flamuj të Shqipërisë, Palestinës dhe Türkiyes mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Ndalo bombardimin në Gaza”, “Ndal krimet e luftës së Izraelit në Gaza”, “Palestina e lirë, fund okupacionit izraelit”, “Të ndalohet rrethimi i Gazës”, “Stop antisemitizmit-Stop islamofobisë” dhe “Stop vrasjen e fëmijëve”.

Në këtë tubim është bërë thirrje për “ndalimin e luftës, ndalimin e masakrave, gjenocidit dhe spastrimit etnik ndaj popullit palestinez në Gaza”.

Ndërkohë, pas tubimit ishte planifikuar edhe marshim përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe drejt Sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë, por nuk është lejuar nga forcat e policisë, sipas organizatorëve “pa dhënë arsye konkrete edhe pse ishte marrë leje”.

Edhe në muajin tetor në Shqipëri u mbajt një tubim në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez dhe për dënimin e krimeve të luftës, duke u dënuar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve.