Sokol Bashota dënohet me 6 muaj burg me kusht

Ish-kryetari i Klinës, Sokol Bashota, është dënuar sot me 6 muaj burg me kusht. Me të njëjtën masë është dënuar edhe Enver Berisha që në kohën sa Bashota ishte kryetar i Klinës, ishte nënkryetar i Komunës.

Sipas Gjykatës, i pandehuri me dashje nuk ka deklaruar dhuratat dhe informatat për pronësinë mbi banesën dhe automjetin BMW X5, me çka ka kryer vepër penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave e dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Bashotën gjykata e shpalli fajtor për shkak se në cilësinë e tij si kryetar i Komunës së Klinës, në vazhdimësi nga muaji mars i vitit 2013 deri në muajin mars të vitit 2016 nuk ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencionin Kundër Korrupsionit.

“Të pandehurin S.B Gjykata e shpalli fajtor për shkak se në cilësinë e ti si kryetar i Komunës së Klinës, në vazhdimësi nga muaj mars i vitit 2013 deri në muajin mars të vitit 2016, duke pasur obligim ligjor që në Agjencionin Kosovar Kundër Korrupsionit ta dorëzonte për çdo vit një deklaratë për pronën, të ardhurat, dhuratat apo dobitë materiale të tjera sipas nenit 3, 5,8 të Ligjit nr.04/L-050 dhe të ndryshimeve të pastajme të tij, me dashje nuk ka deklaruar dhuratat dhe informatat për pronësinë mbi banesën dhe automjetin BMW X5.  Me çka ka kryer vepër penale mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave e dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare në kundërshtim me nenin  437 par.2 te KPK-së, për çka u dënua me dënim burgimi ne kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh i cili dënim nuk ka për tu ekzekutuar me kusht që i akuzuari ne afat prej një (1) viti nuk do të kryej vepër të re penale dhe dënim gjobe në të holla në shume prej njëmijë (1.000) euro, dënimi me gjobë duhet të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh , në të kundërtën i njëjti dënim do t’i zëvendësohet me dënim burg duke llogaritur  20 euro për çdo ditë burgu. I pandehuri detyrohet që gjykatës në emër të paushallit gjyqësorë t’ia paguaj shumën prej 30 euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.