Sonte 8 përballje në LK, PSG – Milan, kryendeshja

Ndeshjet e Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve kundër Milanit, janë jetike në tentimin e ekipit francez për të avancuar nga një grup tejet i vështirë. Këtë e ka pranuar edhe trajneri i Parisit, Luis Enrique, të martën në konferencën për shtyp, një ditë para duelit të parë me Milanin.

PSG-ja zë vendin e dytë në Grupin F pas humbjes shokuese 4:1 nga Newcastle Unitedi më 4 tetor. Gjiganti francez përballet me Milanin në shtëpi dhe më pas në udhëtim në dy ndeshjet e ardhshme të Championsit.

Ndeshja e parë mes Parisit dhe Milanit zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në “Parc des Princes”, ndërsa e dyta është më 7 nëntor në stadiumin “San Siro” në Milano.

Kampioni francez ka tri pikë dhe është prapa Newcastlet që i prin grupit me katër pikë. PSG-ja në xhiron e parë fitoi 2:0 ndaj Borussia Dortmundit. Ndërkohë, Milani luajti pa gola me Newcastlen dhe me Dortmundin. Renditet i treti me dy pikë. Dortmundi ka një pikë në vendin e katërt në grupin më të fortë të Championsit.

Trajneri Enrique ka thënë se fokusi i ekipit të tij është te ndeshja e parë. Ai ka pranuar se duelet me ekipin italian mund ta vendosin fatin e PSG-së.

“Ndeshjet ndaj Milanit janë jetike, duke pasur parasysh rrethanat e dy xhirove të para. Por ne do të fokusohemi fillimisht në ndeshjen e parë dhe pastaj në të dytën. Milani është ekip i madh që gjithmonë ka luajtur në gara të rëndësishme. Për momentin Milani po kalon formë të mirë dhe nuk do ta kemi aspak të lehtë fitoren”, është shprehur Enrique.

I pyetur për qasjen e PSG-së në duelin e parë ndaj Milanit, Enrique ka theksuar se ekipi i tij nuk do të tërhiqet nga loja sulmuese. Ai ka insistuar se vetëm me një qasje të tillë Parisi mund ta mposht Milanin dhe të bëjë një hap para drejt kualifikimit në fazën nokaut.

“Do të sulmojmë si gjithmonë pasi jemi ekip që preferojmë lojën sulmuese. Duam të kemi posedimin e topit por edhe të tregohemi të kujdesshëm në mbrojtje. Jam optimist për fitore pasi bazohem në punën që e kemi bërë gjatë këtyre ditëve”, ka thënë Enrique.

Te Milani tashmë kanë konfirmuar mungesën e mesfushorit Ruben Loftus-Cheek, ndërsa shkaku i lëndimit mungon edhe Samuel Chukwueze. Pritet të kthehet sulmuesi Noah Okafor, i cili ditë më parë i është bashkuar ekipit në stërvitje.

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, ka pranuar forcën e kundërshtarit duke thënë se Parisi ka ndërtuar ekip për ta fituar Championsin. Pioli ka thënë se Milani nuk do të fokusohet vetëm për ta ndalur sulmuesin Kylian Mbappe, pasi ky do të ishte gabim i madh për ekipin e tij.

Edhe Pioli ndeshjen e parë në Paris e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme për Milanin.

“Na duhet një paraqitje e nivelit të lartë pasi përballemi me një kundërshtar të tillë. Jo vetëm kjo ndeshje, por dy përballjet me Parisin janë të rëndësishme për ne. Megjithatë vëmendja do të jetë te përballja e parë. Nuk duhet të fokusohemi vetëm te Mbappe, por te gjithë ekipi i Parisit nëse duam të marrim fitoren e parë”, është shprehur Pioli.

Milani paraqitet pas humbjes nga Juventusi, që e pësoi në shtëpi të dielën mbrëma. Ndërsa Parisi në duelin e fundit në Ligue 1 triumfoi ndaj Clermontit. Parisi është i treti në Francë me 18 pikë, ndërsa Milani ka tubuar 21 pikë dhe zë vendin e dytë në Serie A.

“Parisi është ekip i kompletuar dhe i ndërtuar për ta fituar Championsin. Kështu që ne duhet të jemi gati dhe të bëjmë një paraqitje të jashtëzakonshme për ta ndalur. Parisi do të tentoj të kthehet te fitorja ndaj nesh, ndërsa ne do ta kërkojmë fitoren e parë në Champions. Do të jetë një ndeshje e fortë përfundimisht”, shtoi Pioli.

Dueli tjetër i këtij grupi zhvillohet në Angli, ku Newcastle Unitedi e pret skuadrën e Borussia Dortmundit. Edhe kjo ndeshje fillon në ora 21:00.

E mërkurë

Grupi E

Feyenoord – Lazio (18:45)

Celtic – Atl. Madrid (21:00)

1. Atl. Madrid 2 4

2. Lazio 2 4

3. Feyenoord 2 3

4. Celtic 2 0

Grupi F

Newcastle – B. Dortmund (21:00)

PSG – Milan (21:00)

1. Newcastle 2 4

2. PSG 2 3

3. Milan 2 2

4. B. Dortmund 2 1

Grupi G

Leipzig – C. Zvezda (21:00)

Y. Boys – Man. City (21:00)

1. Man. City 2 6

2. Leipzig 2 3

3. Y. Boys 2 1

4. C. Zvezda 2 1

Grupi H

Barcelona – Shakhtar (18:45)

Antwerp – Porto (21:00)

1. Barcelona 2 6

2. Porto 2 3

3. Shakhtar 2 3

4. Antwerp 2 0