Protestat për lirimin e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vazhdojnë ditën e sotme në Zarë të Kroacisë.
Protesta fillon në ora 18:00.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë caktuar datën dhe orën për protestën e gjashtë me radhë, me kërkesën për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ,shpreson se do të përfshihen edhe arbëreshët e zonës, të cilët, sipas tij, kanë shprehur interesim për organizimin e saj.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka deklaruar se shpreson që kjo të jetë protesta e fundit, me besimin se çlirimtarët në shtator do të kthehen në shtëpi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, akuzohen nga Specialja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të katërtit i mohojnë akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Vendimi përfundimtar ndaj të akuzuarve pritet të shpallet më 16 shtator, nga ora 10:00.




