Spanjë, mbi 400 emigrantë arritën në Ishujt Kanarie

Mbi 400 emigrantë kanë mbërritur përmes detit në Ishujt Kanarie spanjolle në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria spanjolle bisedoi me zyrtarët algjerianë për mënyrat e luftës kundër migrimit të paligjshëm nga Afrika e Veriut në Evropë.

Shumica e emigrantëve vinin nga Afrika sub-sahariane, por të paktën tetë prej tyre ishin nga Bangladeshi. Emigrantët ishin në shtatë varka.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Spanjës, arritjet e emigrantëve në Ishujt Kanarie janë në rritje këtë vit.

Deri më 31 tetor, 17 mijë emigrantë arritën në arkipelag, 44 për qind më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Numri i emigrantëve që mbërrijnë në Spanjë nga deti këtë vit është rritur me 24 për qind, respektivisht në më shumë se 32.700.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), më shumë se 4.500 emigrantë nga Bangladeshi mbërritën në Evropë përmes tokës ose detit vitin e kaluar. Më shumë se 90 për qind e tyre shkuan në Itali dhe pjesa tjetër gjeti strehim në Spanjë, Greqi dhe Maltë.​​​​​​​ /aa