Supë me kos dhe lëng mishi

Me siguri kjo është supa më e thjeshtë që mund të keni bërë ndonjëherë. Përgatitja e saj nuk ju merr shumë kohë dhe mund ta bëni atë në minutat e fundit para se të shtroni tryezën e ngrënies për vaktin e darkës.

Përbërësit: 1 l lëng mishi (ose lëng me koncentrat mishi), 1 tas kos, 1 lugë miell, 1 e verdhë veze, 1 ½ lugë gjelle gjalpë, majdanoz, kripë dhe piper i zi.

Përgatitja: Shtojmë në një tenxhere lëngun e mishit dhe e vendosim në zjarr në temperaturë relativisht të lartë derisa të vlojë. Në një tigan hedhim gjalpin dhe miellin. I skuqim lehtë për disa minuta dhe më pas i kalojmë në tenxhere me lëngun e mishit. E përziejmë herë pas here në mënyrë që mos te krijohen kokrriza nga mielli. Në tasin e kosit shtojmë të verdhën e vezës dhe i trazojmë së bashku.E kalojmë këtë masë në tenxhere dhe e lëmë të vlojë.Shtojmë në të kripën me të cilën duhet të keni kujdes nëse keni përdorur koncentrat mishi sepse përmbajnë shumë kripë. Më pas rregullojeni edhe me pak piper të zi dhe majdanoz. Ju bëftë mirë!