Trump: SHBA–Turqi, më afër se kurrë më parë

“Marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Turqisë janë më të afërta se kurrë…Presidenti Erdogan është tashmë një mik i imi”.

Kështu citohet të jetë shprehur presidenti amerikan, Donald Trump, pas një takimi me homologun turk, Rexhep Taip Erdogan, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.

Sipas Trump, Erdogan duhet vlerësuar sepse është në drejtim të një vendi që ndodhet në një zonë shumë të vështirë të botës.

Gazeta turke “Hurryiet” vërente në raportimin e vet se këto konsiderata të presidentit amerikan kontrastojnë thellë me konfliktet e shumëfishta aktuale mes të dyja vendeve.

“Nga ana e vet, Erdogan iu referua Trump-it si “miku im Donald”, shkruan gazeta. Edhe në deklaratën e presidencës turke theksohet klima e mirë e takimit si dhe dakordësia mes dy presidentëve për të kundërshtuar referendumin kurd që është propozuar nga Qeveria Autonome e Kurdistanit në Irak.

Prej disa vitesh tashmë, SHBA dhe Turqia janë në kurs përplasjeje sidomos për zhvillimet në Siri. ShBA ka financuar dhe armatosur -krahas grupeve të tjera- kurdët në përpjekjet e veta kundër Bashar al Assad në Siri, por ky akt shikohet nga Turqia si politikë e destabilizimit rajonal.