Turqia ka dënuar vendimin e autoriteteve greke për lirimin nga burgu të Alexandros Giotopoulos, liderit të dënuar të organizatës terroriste “17 Nëntori”.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Turqisë tha se lirimi i Giotopoulos përbën mungesë respekti ndaj diplomatëve turq të vrarë dhe familjeve të tyre, si dhe dëmton përpjekjet kundër terrorizmit.
Sipas Ankarasë, Giotopoulos ishte përgjegjës për organizimin e sulmeve ndaj diplomatëve turq në Athinë, përfshirë vrasjen e atasheut për shtyp Çetin Görgü në vitin 1991, atentatin ndaj këshilltarit të ambasadës Deniz Bölükbaşı po atë vit dhe vrasjen e këshilltarit Haluk Sipahioğlu në vitin 1994.
Ministria turke e cilësoi vendimin si “një tolerancë të papranueshme ndaj një terroristi” dhe i bëri thirrje Greqisë të mos ndërmarrë veprime që mund të dobësojnë luftën kundër terrorizmit.
Alexandros Giotopoulos, 82 vjeç, u lirua të enjten nga një burg në Athinë pasi një trup gjykues miratoi lirimin e tij me kusht, duke marrë parasysh moshën e tij të shtyrë. /mesazhi



