Vaji i Avokados/ Arma sekrete për organizëm të fuqishëm

Avokado konsiderohet si një nga ushqimet natyrale më mirëbërëse për organizmin e njeriut.

Këtë e kanë provuar shkencëtarët sipas të cilëve ky frut ofron bazën kryesore të ushqyesve të nevojshëm për mbarëvajtjen e proceseve të trupit.

Avokado përmban 18 nga 22 aminoacidet e nevojshme për trupin e njeriut. Një avokado përmban më shumë kalium se një banane dhe kaliumi është shumë i rëndësishëm për zemrën dhe jo vetëm.

Lexoni këtu për problemet që ndodhin në trupin tuaj kur mungon kaliumi. Vetëm gjysma e një avokadoje ofron sasinë më të lartë të fibrës që ofron një frut, 4.6 gramë. Përvec vlerave fantastike, avokado është një ndër frutat më të fotografuar edhe në Instagram. Për shembull, vetëm në vitin 2017, në këtë platformë janë publikuar plot 3 milionë fotografi avokadosh dhe gatimesh me të, në ditë.

Vaji i avokados, arma sekrete e hollivudit.
Prej avokados njeriu mund të përftojë edhe një vaj shumë të shëndetshëm me yndyrna të mira për trupin. Në aspekt vlerash, ky vaj konkuron fort me vajin e ullirit dhe sidomos për lëkurën është me të vërtetë fantastik. Vaji i avokados në formën e tij më të pastër, është plot e për plot me acidin oleik që penetron thellë në lëkurë dhe e ushqen atë. Për shembull nëse vaji i arrës së kokosit përmban 5-10 përqind acid oleik, vaji i avokados ofron 63% acid oleik, një sasi domethënëse që bën ndryshim në shëndetin e lëkurës, hidratimin dhe ushqyerjen e saj. Ky vaj është perfekt për lëkurat e ndjeshme sepse është i pasur me klorofil, që i jep lëkurës një shkëlqim të shëndetshëm rinor.

Vaji i avokados njihet si arma sekrete e Hollivudit, sepse shumë njerëz të famshëm janë fanatikë të këtij produkti që përmban sasitë maksimale të vitaminës E dhe acideve yndyrore Omega-3. Motrat e famshme Kardashian i thurin shumë shpesh lavde efekteve të mrekullueshme të vajit të avokados për shëndetin e lëkurës. Madje, Khloe Kardashian e ka përshkruar atë si një eliksir të bukurisë. Aktorja Lupita Nyongo, përfaqësuese e firmës Lancome, u shpreh së fundmi se pasi e kishte provuar vajin e avokados në lëkurë, dëshmoi magjinë e tij dhe vendosi ta përdorte në flokë dhe në fytyrë.

Si ta përgatisni vajin e avokados në shtëpi .
Në qershor të këtij viti, autoritetet amerikane zbuluan se një pjesë e konsiderueshme e produkteve të tilla në treg ishin ose të prishura ose me përmbajtje të lartë të yndyrnave të tjera, pra gjithçka tjetër veç vaj avokadoje. Duke marrë shkas nga ky studim, ekspertët këshillojnë përgatitjen e vajit në kushtet e shtëpisë. Blini disa avokado në treg, pastrojini dhe tulin e tyre punojeni në mikser deri sa të formoni një pure të butë dhe kremoze.

Purenë hidheni në një tenxhere mesatare dhe lëreni të ziejë në temperaturë po mesatare. Kur ajo të marrë valë, do të vëreni në sipërfaqe një shtresë vaji. E gjithë pureja e avokados duhet të marrë një ngjyrë të errët dhe duhet ta përzieni vazhdimisht. Kur ngjyra të ndryshojë nga e gjelbra e çelët në kafe, atëherë uji ka avulluar plotësisht. Merreni të gjithë masën e kafenjtë dhe kullojeni njësoj si në rastin e salcës së kosit duke vendosur një enë poshtë napës ku të pikojë ngadalë vaji i avokados.

Vajin hidheni në një enë qelqi dhe e keni gati për konsum. Ju informojmë se nëse pini nga një lugë vaji rregullisht do ta furnizoni organizmin me plot 11 lloje të ndryshme vitaminash e 14 minerale thelbësore për trupin. Vaji mund të përfshihet në shumë ushqime dhe nuk tjetërson shijen e tyre./AgroWeb.