Vazhdojnë luftimet në Tripoli, dhjetëra të vrarë

Bombarduesit e forcave ajrore të qeverisë libiane të konsensusit kombëtar kanë kryer sulme të ashpra mbi bazën e vetme ajrore nën kontrollin e forcave besnike të komandantit Khalifa Haftar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Objektivi i sulmeve ajrore ishte baza ajrore Al-Watiya e cila ndodhet 130 kilometra në juglindje të Tripolit dhe e cila është nën kontrollin e forcave të Haftarit që duan të marrin edhe Tripolin.

Televizioni i Libisë Al-Ahrar raporton se forcat e Haftarit nga baza Al-Watiya në dy ditët e fundit kanë kryer sulme në Tripoli.

Komandanti ushtarak libian Khalifa Haftar të enjten urdhëroi forcat besnike në kampin e tij për të marshuar në Tripoli, kryeqytetin e Libisë, i cili është nën kontrollin e Qeverisë së Konsensusit Kombëtar, të mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Zëdhënësi i Ministrisë libiane të Shëndetësisë në Tripoli, Emin Muhammad al-Hashim për AA tha se në përleshje jetën e kanë humbur të paktën 21 persona ndërsa 27 të tjerë janë plagosur.

Libia është zhytur në një krizë të thellë politike dhe të sigurisë që nga viti 2011, kur u vra Muammar Gaddafi. Që atëherë në pushtet janë qeveritë paralele me bazë në Tripoli dhe Tobruk, apo Al Baida, të cilat kanë parlamentet e veçanta dhe forcat e armatosura. Haftar është në ballë të strukturës në Tobruk.