Vjellja – ushqimi i prishur apo diçka tjetër?

Vjellja paraqet kontraksion të fuqishëm të lukthit nëpërmjet të cilit nga ezofagu dhe goja nxirret nga stomaku ushqimi i ngrënë. Zakonisht vjellja është simptomë apo pasojë e ndonjë sëmundjeje tjetër

Shkaktarët mund të jenë ushqimi i prishur apo ndonjë pije alkoolike në rast se villet ushqimi i patretur apo gjysmë i tretur.

Mirëpo, nëse villet edhe vrer apo mukozë stomaku, apo nëse është i pranishëm gjaku që ka prejardhje nga stomaku, atëherë shkaktari është ndonjë sëmundje serioze dhe është i domosdoshëm kontrollimi mjekësor, transmeton Telegrafi.

Vjelljen e nxisin shkaktarë të ndryshëm. Ajo vjen si pasojë e disa sëmundjeve të lukthit (p.sh. pezmatimi, ulcera dhe kanceri i lukthit). Po ashtu, vjellja mund të shkaktohet nga ngacmimi i peritoneumit, p.sh. gjatë rrotullimit të zorrëve, kancerit, inflamacionit të fshikës së tëmthit, inflamacionit të zorrës së verbër, inflamacionit të gjëndrave të pankreasit, lëndimeve të ndryshme të barkut dhe gjatë gjakderdhjes së brendshme.

Veç këtyre, helmimet e ndryshme shkaktojnë vjellje të rëndë, siç është helmimi me ushqim, helme ngjyrash, morfinë, acide dhe baza.

Ka edhe shkaktarë të padëmshëm. Disa persona (sidomos ata që janë shumë të ndjeshëm) vjellin si pasojë e çdo ngacmimi të qiellzës ose fytit, madje edhe gjatë gëlltitjes së ushqimit të fortë, tabletave e të ngjashme.

Gjithmonë duhet pasur në mendje se vjellja mund të vijë edhe gjatë dëmtimit të sistemit nervor qendror. Kështu, lëndimi i kokës, trauma ose kontuzioni i trurit, inflamacionet e ndryshme dhe tumoret e trurit, disa sëmundje të veshit dhe të syrit- mund të nxisin vjelle intensive, e cila nuk ndalet. Forma e veçantë e vjelljes më të rëndë është e ashtuquajtura “miserere”, kur i sëmuri vjell përmes gojës përmbajtjen e zorrëve.

Çfarë duhet të dini kur i sëmuri vjell

Para së gjithash duhet t’i ndihmoni të sëmurit që të vjellë më lehtë, duke e mbajtur nga pas ose nën sqetulla dhe duke ia vënë dorën në ballë. Para tij vendoset një enë e madhe, ndërsa gjoksi dhe barku është mirë të mbulohen që të mos stërpiken.

Nëse i sëmuri nuk është në gjendje të qëndrojë ulur për shkak të çrregullimit të vetëdijes, nëse ka të vënë gips ose për shkak të gjendjes së tij pas operacionit- atëherë gjatë vjelljes duhet t’i kthehet koka në një anë dhe të mbrohen çarçafët nga papastërtia.

Kur të qetësohet ngacmimi për vjellje, madje edhe nëse është vetëm kalimtar, duhet që të sëmurit t’i fshihet goja, hunda dhe fytyra me garzë të njomë në mënyrë që i sëmuri të freskohet dhe të largohen mbetjet e vjelljes, që gjithmonë ka erë dhe shije të pakëndshme, dhe pastaj duhet të pastrohet edhe goja dhe fyti, ndërsa më vonë duhet kontrolluar edhe dhoma.

Nëse mbulesat dhe teshat të sëmurit përlyhen nga vjellja, atëherë ato duhet të ndërrohen. Duhet të kihet kujdes gjatë pastrimit, sidomos nëse ka pasur “miserere”.

Të sëmurit që vjell nuk i jepet as ushqim as lëngje pa lejen e mjekut. Edhe barnat është më së miri të jepen në formë të injeksioneve ose me tube në zorrë. Veç kësaj, gjatë secilës vjellje nëse nuk është pasojë e një sëmundjeje bazë (si ulcera, kanceri, dëmtimi i trurit), atëherë duhet që menjëherë të gjendet shkaktari.

Shkaktari i vjelljes

Para së gjithash, duhet ditur saktësisht se çfarë ka ngrënë i sëmuri herën e fundit, mos ka gëlltitur ndonjë helm dhe çfarë lloj barnash ka marrë në dy ditët e fundit.

Të gjithë ushqimin e dyshimtë dhe barnat duhet ruajtur për kontroll mjekësor dhe laboratorik, sepse në këtë mënyrë do të lehtësohen nevojat për ekspertizë mjekësore.

Po ashtu, rekomandohet që të sëmurit edhe pas ndërprerjes së vjelljes, së paku dy-tri ditë të mos i jepet ushqim, ndërsa lëngjet (çaj, kafe të zezë, lëngje pemësh) mund t’i jepen vetëm atëherë kur është e sigurt se nuk ka dëmtim të organeve të tretjes.

Çdo i sëmurë me vjellje të rëndë dhe intensive duhet dërguar për kontroll te mjeku.