Xhaka paralajmëron Gjermaninë

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka ka paralajmëruar Gjermaninë para ndeshjes së fundit në grup që është vendimtare për “helvetikët”.

Të dielën prej orës 21:00, Zvicra përballet me Gjermaninë në kuadër të Grupit A, ndeshje në të cilën synon ta siguroj kalimin në fazën nokaut.

Gjermania tashmë ka konfirmuar kalimin në këtë fazë, pasi i prinë grupit me 6 pikë pas fitoreve 5:1 ndaj Skocisë dhe 2:0 kundër Hungarisë.

Zvicra është e dyta me katër pikë dhe të paktën i duhet një barazim për të avancuar tutje. Në prag të këtij dueli, Xhaka ka thënë se synimi i Zvicrës është ta mposht Gjermaninë për t’ia shkaktuar humbjen e parë në Evropian.

“Patjetër që kemi respekt për gjermanët, por nuk do të kemi aq respekt sa skocezët në ndeshjen hapëse, të cilët i dhanë topin plotësisht Gjermanisë. Ne jemi të emocionuar për këtë ndeshje, të cilën duam ta fitojmë”, ka thënë Xhaka. Krahas Xhakës, titullar te Zvicra kundër Gjermanisë pritet të jetë edhe Xherdan Shaqiri, i cili shënoi supergol në barazimin 1:1 kundër Skocisë.