Zgjedhja e shokut të jetës 2

Së dyti: Personat me të cilët është e mundur jetesa, me gjithë problemet dhe vuajtjet që shkaktojnë.

1 – Personaliteti vesveseli (skeptik), hetues, inatçi dhe koprrac.

Personi skeptik, i përmbahet rreptësisht rregullit, sistemit dhe disiplinës në gjithçka. Ai u jep shumë rëndësi detajeve të vogla dhe nuk lë gjë pa hetuar dhe debatuar në mënyrë të lodhshme. Ai është inatçi, nuk bën lëshime dhe nuk toleron. Ai është shumë i disiplinuar, gjë e cila ndonjëherë e bën koprrac. Është racional dhe nuk u kushton shumë vëmendje ndjenjave. Shenjat dalluese gjatë fejesës janë se pyet mbi çdo detaj, i bën llogaritë mirë e mirë dhe është dorështrënguar në çështjet e dhuratave. Ai kërkon llogari për gjithçka. Koprracia e skeptikut nuk kufizohet vetëm në çështjet monetare, pasi ai është koprrac edhe në ndjenja dhe emocione, duke mos i kushtuar vëmendje ndjenjave të tij. Duke qenë se të shoqes nuk i fal emocione, jeta me të është shumë e thatë, racionale dhe e mirë llogaritur.

Me të drejtë dikush mund të pyesë: E përse u dashka ta durojë e shoqja/i shoqi një njeri të tillë? Çfarë dobie ka jeta me të?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, themi: Personaliteti skeptik, me gjithë tiparet e lartpërmendura, është njeriu i sistemuar, disiplinuar, me ndërgjegje të gjallë të cilës i kërkon llogari për gjithçka. Ai karakterizohet nga ndjenja përgjegjësie të larta, është i dhënë pas punës më shumë se kushdo tjetër dhe është i suksesshëm profesionalisht. Ai kujdeset për nevojat e familjes së tij materiale, sipas gjykimit të tij për këto nevoja, por vetëm ato themeloret. Ai është shumë i interesuar për vazhdimësinë e familjes, pasi nuk e pëlqen ndryshimin shumë dhe nuk i interesojnë marrëdhëniet emocionale jashtë kuadrit martesor. Ai është një bashkëshort i respektuar dhe i përgjegjshëm, me gjithë koprracinë dhe thatësinë e ndjenjave.

2 – Personaliteti limitues (kufizues), i paqëndrueshëm në ndjenjat, marrëdhëniet, vendimet dhe punën e tij.

Ky person, burrë qoftë apo grua, është i paqëndrueshëm në ndjenjat e tij, pasi zemërohet shpejt dhe qetësohet shpejt. Njerëzit e përshkruajnë si person që inatoset shpejt, por që edhe mund të qetësohet shpejt, pasi është zemërmirë. Por, në të vërtetë ky person i shkatërron shumë gjëra të rëndësishme në jetë, gjatë krizës nervore dhe zemërimit. Ai mund të humbasë krejt kollaj një mik për kokë, një grua besnike ose një vend pune të rëndësishëm. Kjo na bën të presim ndryshime në ekuilibrin e marrëdhënieve me të tjerët, marrëdhënie të cilat nuk zgjasin shumë. Lidhur me vendin e punës, e gjejmë duke bredhur sa nga një sektor tek tjetri, pa gjetur stabilitet. Këto informacione mund ti sigurojmë nga historia e tij personale gjatë periudhës së fejesës. Ky person, burrë qoftë apo grua, kalon periudha të gjata depresioni, gjatë të cilave i vijnë edhe ide vetëvrasëse. Disa prej tyre fillojnë përdorimin e lëndëve narkotike, si përpjekje për ta mbajtur nën zotërimi tipin e tij emocionalisht të paqëndrueshëm, problemeve të marrëdhënieve me të tjerët dhe me vendin e punës.

3 – Personaliteti pasiv, çuni ose çupa e mamasë

Ky personalitet, e ka të pamundur të marrë një vendim ose të bëjë diçka krejt i vetëm. Ai gjithmonë ka nevojë për të tjerët dhe për gjithçka. Ndonjëherë, ai nuk merret me asgjë, duke pritur nga të tjerët ta ndihmojnë dhe ta mbështesin gjatë gjithë kohës. Nëse është i ri, ai vjen tek shtëpia e të fejuarës bashkë me mamanë e tij, e cila flet gjatë gjithë kohës në vend të tij. Në vizitat pasuese, ai e ka të pamundur të marrë një vendim, pa u konsultuar më parë me mamanë, babanë ose vëllain e madh. Ai duhet të ketë një person në jetë, tek i cili të mbështetet. Nëse është vajzë, shohim që është e ëma ajo që e lëviz, e orienton dhe vendos për marrëdhëniet e saj me të fejuarin ose të shoqin, duke ndërhyrë në gjithçka.

Nëse është burrë, ai ka nevojë që e shoqja të bëjë gjithçka dhe ti përballojë të gjithë përgjegjësitë e familjes. Sakaq, ai qëndron në prapaskenë gjithmonë, duke u bërë barrë e rëndë për të shoqen. Kësaj, shtoji dhimbjen e të shoqes për pafuqinë e të shoqit dhe pasivitetin e tij. Megjithatë, shohim që ky tip bashkëshorti është shumë i kërkuar nga gratë maskiliste dhe me personalitet të fortë, pasi dëshirojnë të jenë ato superiore në marrëdhëniet bashkëshortore.

4 – Personaliteti i demoralizuar, i dëshpëruar, i pashpresë, i thyer dhe pesimist.

Ai është person i depresionuar, nuk sheh në jetë veçse dhimbje, lot, mjerim, vuajtje dhe probleme. Ai e sheh veten të keqe, jetën të keqe dhe të ardhmen të zymtë. Një person i tillë, gjithmonë flet për fatkeqësitë, problemet, vuajtjet dhe hallet. Ai është i paaftë për të marrë nisma dhe për rezistencë, madje thyhet menjëherë përballë sfidave dhe e humb shpresën shpejt. Këto ndjenja demoralizuese u ngjiten dhe atyre që kanë të bëjnë me të, të cilët fillojnë ta ndjejnë zymtësinë e jetës ku jetojnë të gjithë. Në një atmosferë të tillë, nuk mund të presim prej këtyre njerëzve rezultate të larta dhe me vlerë. Kjo, sepse personaliteti demoralizues i tyre, shpirti i thyer dhe i pashpresë, nuk ua lejon suksesin dhe rendimentin e lartë.

5 – Personaliteti me humor të ndryshueshëm në mënyrë sezonale.

Këtë person, e shohim për ditë, javë, ndonjëherë edhe muaj, në humor të mirë, aktiv, plot gaz dhe hare, plot gjallëri etj… Mandej shohim që tek ai ka ndryshuar gjithçka, tashmë është i mërzitur, i vetëmbyllur, i pashpresë dhe i luhatur. E tillë është jeta e tij, plot ndryshime në humor, mes gazit dhe mërzisë. Një personalitet i tillë, është tipik i njerëzve kreativë dhe mendimtarë. Ai është një personalitet me një botë të pasur, magjepsës dhe me diversitet ngjyrash. Nga personi që do të kalojë jetën me të, lipset shumë mund dhe durim teksa përballet me këto ndryshime sezonale, nga ekstremi në ekstrem.

6 – Personaliteti skizotipik.

Ai dallohet kollaj nga rrobat e çuditshme që vesh, të cilat nuk përkojnë me ato të shoqërisë ku jeton. Veç kësaj, edhe fjalët dhe idetë e tij janë të çuditshme, pasi u kushton vëmendje gjërave dytësore të cilat i konsideron thelbësore, siç janë p.sh çarjet e ozonit, trekëndëshi i Bermudas, satelitët fluturues të UFO-ve, fenomenet e pazakonte e gjëra të ngjashme. Ngaqë edhe sjelljet e tij etiketohen si të “çuditshme” shumë njerëz e konsiderojnë “pervers” “që i ka ikur truri” “që ka rrëshqitur” etj… edhe pse ai nuk është i çmendur.

Është e kollajtë ta dallosh këtë person gjatë fejesës, nëpërmjet mendimeve të çuditshme, të fokusuarit tek gjërat sekondare, e folura dhe mënyra si ulet. Ky person është më i prirur të preket nga skizofrenia. Atij i pëlqen vetmia, pasi jeton në një botë personale të tij, të formuar nga idetë dhe imagjinata e vet. Megjithatë, ai nuk i shkëput të gjithë kontaktet me aktualitetin, pasi kontakton me të tjerët sipas nevojave të domosdoshme të tij.

Diferenca në moshë:

Cila është diferenca moshore ideale mes bashkëshortit dhe bashkëshortes?

Kjo është një pyetje të cilën e shtrojnë shumë njerëz. Për t’iu përgjigjur, le të shohim rezultatet e disa sondazheve të zhvilluara rreth harmonisë bashkëshortore. Nga sondazhet, u zbulua se diferenca moshore më e mirë mes burrit dhe gruas duhet të jetë nga tre deri pesë vjet. Kur kjo diferencë i kalon dhjetë vitet, shfaqen shenjat e mos përkimit dhe mos përshtatjes mes tyre. Një diferencë me më shumë se dhjetë vjet, do të thotë që secili nga bashkëshortët i përket një brezi tjetër krejt të ndryshëm. Të dy bashkëshortët kanë shqetësime, preokupime dhe ide të ndryshme, saqë harmonia dhe mirëkuptimi mes tyre ndonjëherë kalon periudha krize. Një bashkëshorte e re në moshë, është më e prirur për tu dëfryer, udhëtuar dhe eksploruar. Sakaq burri i saj “plak” parapëlqen seriozitetin, qetësinë, meditimin dhe stabilitetin. Kësaj, shtoji dallimet në nevojat emocionale dhe seksuale.

Ebu Bekri r.a dhe Umeri r.a kërkuan dorën e vajzës së profetit Muhamed a.s, por ai ua ktheu:”Ajo është e vogël.” Kur Fatimen e kërkoi Aliu, Profeti a.s pranoi dhe i martoi. (Nisaij)

Me të drejtë, dikush mund të thotë: Profeti Muhamed a.s u martua me Aishen, edhe pse diferenca në moshë mes tyre ishte shumë e madhe.

Si përgjigje të kësaj pyetje themi: Rasti i të dërguarit të Zotit a.s është një rast i veçantë, i bazuar në qenien e tij i dërguar i Zotit, si dhe për disa karakteristika personale të tij. Kjo u pa mirë pas martesës së tij me Aishen, pasi ishte në gjendje t’ia plotësojë të gjithë nevojat. Kështu, ai herë bënte gara vrapi me Aishen, herë bënte shaka dhe herë të tjera e përkëdhelte. Vetë Aisheja ndihej e realizuar përkrah të dërguarit të Zotit a.s, me gjithë dallimin në moshë.

Kjo na bën të themi se rregulli i mësipërm i moshës, me gjithë rëndësinë e tij, bën përjashtime sipas rrethanave dhe kushteve, siç do e shohim dhe më poshtë.

Tipat e bashkëshorteve sipas moshës:

Ekzistojnë tre tipa bashkëshortesh, bazuar në dallimin në moshë dhe rolin që luan secili partner.

1 – Bashkëshortja nënë. Në përgjithësi, ajo është më e madhe në moshë dhe kujdeset për të shoqin duke i qëndron pranë.

2 – Bashkëshortja shoqe. Ajo është pothuaj në të njëjtën moshë me të shoqin dhe marrëdhëniet mes tyre, janë shumë të ngjashme me ato të dy miqve, ku respekti është i ndërsjellë.

3 – Bashkëshortja bijë. Ajo është shumë vite më e vogël se i shoqi, të cilën i shoqi e trajton sikur ta kishte vajzën e tij, e llaston, përkujdeset për të, mbyll sytë ndaj gabimeve të saj. Sakaq e shoqja e luan mirë rolin e të bijës dhe ndihet mirë.

Dikush mund të pyesë: Cili është tipi ideal nga këto bashkëshorte?

Përgjigja: Martesa është çështje harmonie dhe përkimi mes dy palëve. Sa më fort që secila palë përpiqet ti plotësojë nevojat e tjetrës, pritshmëria për harmoni dhe përputhje shtohen. Prandaj është e vështirë të themi cili është tipi më ideal, pasi çdo bashkëshort dhe bashkëshorte ka nevoja të ndryshme, plotësimin e të cilave e kërkon tek një tip i caktuar. Kjo, edhe pse rregulli i përgjithshëm thotë që burri është mirë të jetë më i madh se gruaja.

Këto tre tipa bashkëshortesh, i gjejmë në jetën e të dërguarit të Zotit a.s. Ai ishte i martuar me gruan nënë, zonja Hadixhe r.a, me të cilën kompensonte dhembshurinë e nënës e cila e kishte lënë jetim që të vogël. Prania e saj në jetën e Profetit a.s, ka qenë shumë e rëndësishme në atë stad moshe. Ai kishte nevojë për dikë që përkujdesej dhe e mbështeste si moralisht ashtu dhe materialisht, sidomos në vitet e para të profecisë.

Në një stad tjetër, Profeti a.s u martua me gruan shoqe dhe mike, zonjën Hafsa r.a dhe zonjën Zejnebe bintu Xhahsh.

Sakaq, martesa me gruan bijë, ishte ajo me Aishen r.a, me të cilën u martua në vitet e fundit të jetës, pasi ishte stabilizuar shteti dhe mesazhi islam. Këtu, atij i ishin krijuar hapësirat për tu përkujdesur për një bashkëshorte të re në moshë. Profeti Muhamed a.s i realizoi martesat e tij në stade të ndryshme dhe me tipa të ndryshme grash, sipas nevojave që ia diktonte misioni i tij si i dërguar i Zotit. Për përmbushjen e këtij misioni, atij i duhej të bëjë shumë krushqi, aleanca dhe miq.

Përputhja:

Kjo realizohet kur dy bashkëshortët janë afër njëri-tjetrit në moshë, nivelin shoqëror, kulturor dhe fetar. Një përputhje e tillë, e bën mirëkuptimin dhe harmoninë të mundur, për shkak të hapësirave të përbashkëta të cilat mundësojnë një nivel të lartë komunikimi mes dy palëve. Shpesh herë, të dashuruarit rreken të kapërcejnë mbi rregullat e përputhjes, duke besuar se dashuria e tyre është garanci për kapërcimin e kufijve moshor, sociale, kulturore dhe fetare. Por pas martese, kur niveli i dashurisë fillon e ulet, dalin në pah faktorët e mësipërm, mospërputhja e të cilëve çon në grindje dhe fërkime të shumta.

Sa më shumë faktorë përputhjeje që një martesë siguron, aq më shumë rriten mundësitë për të qenë e suksesshme. Megjithatë, ky rregull ka dhe përjashtimet e tij jo të pakta, pasi në mungesë të njërit apo më shumë faktorësh, e plotësojnë faktorë të tjerë më të rëndësishëm dhe të fuqishëm.

Mos përputhja e llogaritur:

Ndonjëherë, shohim dy bashkëshortë mes të cilëve ekzistojnë diferenca të mëdha si në moshë, ashtu dhe në nivelin shoqëror, kulturor dhe fetar. Këto dallime dhe diferenca janë sinjal i çrregullimit të lidhjeve të tyre bashkëshortore. Megjithatë, ne shohim që në realitet ata shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, ose të paktën bashkëjetojnë me gjithë dallimet mes tyre. Shkaku qëndron në atë se të dy kanë nevojë për njëri-tjetrin, me gjithë faktorët mos përkues dhe mos përputhës në aparencë. P.sh, shohim një grua të bukur dhe të re në moshë, të martohet me një burrë shumë herë më të madh se mosha e saj. Pritshmëria është që ajo do të kalojë një jetë plot vuajtje dhe pikëllim. Por ajo jo që e ka pranuar, por ndihet mirë me këtë zgjedhje, sepse pasuria për të është diçka thelbësore, pa të cilën s’mund të jetojë. Veç kësaj, kjo bashkëshorte e re dhe e bukur, kur ka qenë fëmijë i ka munguar dhembshuria e babait. Ajo ka nevojë për dikë që ia kompenson këtë nevojë të paplotësuar atëherë. Prandaj ajo i injoron djemtë e brezit të saj aventurierë dhe të papjekur. Asaj i pëlqen të martohet me një burrë të pjekur, edhe pse mund të jetë shumë vite më i madh se ajo. Një model tjetër, është ai i një gruaje me personalitet të fortë dhe maskiliste, e cila e orienton dhe e çon të shoqin nga të dojë. Në pamje të parë, duket sikur një çift i tillë nuk janë të lumtur, por realiteti thotë se jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Kjo, sepse i shoqi kishte nevojë per dikë e cila do e mbronte dhe do të kujdesej për të, gjë të cilën e gjeti. Edhe pse duket paradoksale, por ka vajza të cilat edhe pse kanë vuajtur nga dhuna e babait, zgjedhin për martesë një person të ashpër dhe të dhunshëm. Me këtë, ato sikur kanë krijuar vartësi ndaj dhunës dhe tani e kanë të pamundur të jetojnë pa prezencën e një burri të tillë.

Rëndësia e familjes së origjinës:

Familja e origjinës luan një rol të rëndësishëm në formimin e personalitetit të partnerit me të cilin/cilën do ndash jetën. Një person që ka jetuar në një ambient familjar të qetë dhe të ngrohtë, në prehrin e dy prindërve të dashur dhe përbri vëllezërve dhe motrave të tjerë, me të cilët ka mësuar domethënien e jetesës me të tjerët, prej tij/saj pritet sukses më i madh në jetën bashkëshortore. Kjo, sepse modeli i familjes me të gjithë konturet e saj, është programuar në mendjen dhe shpirtin e tij. Ai është më i predispozuar për të dashur dhe për tu dashur, të japë dhe të marrë, si dhe është më i aftë për të kaluar një jetë familjare të qëndrueshme me partnerin e jetës. E kundërta ndodh me një person i cili ka dëshmuar dhe përjetuar përvojën e divorcit mes prindërve dhe ndarjen e familjes. Ai është më i predispozuar për ta braktisur dhe për tu divorcuar nga partneri i jetës, sepse ai është familjarizuar me braktisjen dhe të qenit i vetëmjaftueshëm. Veç kësaj, modeli i duhur i familjes nuk është i qartë dhe i kristalizuar në mendjen e tij.

Ëalter Toman, profesor i psikologjisë në një universitet gjerman, ndërmori një studim mbi natyrën e të rinjve dhe të rejave, në bazë të edukimit që kanë marrë në familjet e origjinës dhe zbuloi se:

– Vajza e cila është në kërkim të një personaliteti të fortë dhe të pasurisë, duhet ti fokusojë përpjekjet tek vëllai më i madh i familjes i cili zakonisht është më i suksesshëm, me personalitetin më të fortë, më i afti në të kuptuarit e njerëzve si dhe me personalitetin më të fortë.

– Nëse kërkon dhembshurinë, do e gjejë tek zemra e një djali që ka motra më të vogla se ai.

– Nëse kërkon një bashkëshort me personalitet të dobët, të cilin e orienton si të dojë, duhet të kërkojë djalin më të vogël në familje i cili është mësuar vetëm të marrë urdhra dhe komanda, por kurrë të japë. Një vajzë e cila kërkon një burrë të tillë, zakonisht është motra e madhe, e cila është mësuar të ketë pushtetin në dorë.

– Kurse burri më i mirë për motrën më të vogël, është vëllai më i madh i një familjeje, i cili ka luajtur rolin e sovranit, sakaq ajo është mësuar vetëm të marrë komanda.

Tipet e grave në folklorin arab:

Folklorin arab e gjejmë shumë të pasur me emërtime, numri i të cilave arrin shtatëdhjetë e një syresh, ku çdo emërtim përshkruan karakteristika fizike dhe psikologjike të caktuara. Një shumëllojshmëri e tillë, përveçse pasuron fjalorin e arabishtes, tregon sa rëndësi i kanë kushtuar arabët njohjes së tipareve të grave dhe humorit të tyre, me qëllim që të bënë zgjedhjen e duhur sipas shijes së burrit dhe nevojave të tij.

Tipat e zgjedhjeve:

Më poshtë, do të rendisim tipat e zgjedhjes që ndjekin njerëzit për martesë. Nuk është e thënë që njerëzit të synojnë vetëm njërin nga këto tipa, pasi mund të kërkojë të realizohet më shumë se një syresh. Sa më të shumta të jenë mjetet dhe llojet e zgjedhjes, aq më e ekuilibruar bëhet.

1 – Tipi emocional. Në këtë rast, përzgjedhja bëhet në bazë të një ndjenje të fuqishme dashurie dhe simpatie, e cila nuk i nënshtrohet racionales dhe logjikës. Në këtë rast, mendohet se dashuria e vetme, është garanci për ti zgjidhur të gjithë problemet dhe për të ngritur një jetë bashkëshortore të lumtur. Bazuar në këtë, ai/ajo, nuk ka asnjë gatishmëri për të dëgjuar opinionet dhe këshillat e të tjerëve. Në këtë rast, vërehet një kokëfortësi në mbrojtjen e zgjedhjes që është bërë, me gjithë pengesat logjike të shumta, të cilat theksojnë mos përputhjen mes të dyve. Sa më shumë të rreken ti mbushin mendjen familjarët, burrë qoftë apo grua, aq më shumë shtohet kokëfortësia e tij\saj. Në një situatë të tillë, nuk ka zgjidhje tjetër veçse ti kërkohet që ta zgjasë sa më shumë periudhën e njohjes ose të fejesës, gjatë së cilës do të zbulojë të metat e shumta të palës tjetër, madje dhe të vuajë prej tyre. Vetëm kështu mund të kemi një kthim prapa.

2 – Tipi racional. Ky tip i analizon logjikisht karakteristikat e palës tjetër, prandaj ai është larg ndjenjave dhe emocioneve.

3 – Tipi fizik. Ai jepet shumë pas tipareve fizike të jashtme të palës tjetër, siç është bukuria e trupit apo e fytyrës.

4 – Tipi pragmatist. Këtu, martesa synon të realizojë një interes material, shoqëror ose funksionalit, duke u lidhur me palën tjetër nëpërmjet martesës. Kjo zgjedhje e humb vlerën në çastin kur i humb shpresat nga realizimi i objektivit pragmatist, ose kur e ka shfrytëzuar palën tjetër aq sa nuk ka më ç’të përfitojë prej tij.

5 – Tipi në arrati. Në këtë rast, vajza p.sh pranon këdo që troket në portën e saj, për të shpëtuar nga dhuna dhe keqtrajtimi i babait, njerkës apo vëllait të madh. Ajo nuk mendon mbi karakteristikat e personit që ka kërkuar dorën e saj, aq sa mendon si ti shpëtojë realitetit të dhimbshëm.

6 – Tipi social. Kjo zgjedhje realizohet nga vetë individët që rrethojnë dy palët, familjarë qofshin apo miq e shokë, të cilët gjykojnë që ky djalë i përshtatet asaj vajze. Kështu, ata fillojnë të vendosin ura komunikimi derisa të realizohet martesa. Ajo është një martesë që realizohet në bazë të njohjes së rrethit social, pa ndonjë rol aktiv të dy palëve, përveç pranimit apo refuzimit të sugjerimit.

7 – Tipi familjar. Ajo është një martesë që realizohet për të ruajtur lidhjet familjare dhe fisnore. Ashtu siç bëhet për të respektuar një traditë shoqërore të caktuar, siç janë martesat me kushërinjve apo brenda fisit.

8 – Tipi fetar. Në këtë rast, zgjedhja bëhet në bazë të konsideratave fetare ose ideologjike, me të cilat identifikohen palët. Këtë lloj zgjedhjeje e thekson i dërguari i Zotit a.s në një hadith ku thotë:”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i moralshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh.” (Tirmidhij)

9 – Tipi i rastit. Pasi vajzës i ka kaluar koha e martesës, pranon çdo person me qëllim që të mos mbetet beqare. Prandaj kjo zgjedhje konsiderohet e rastit.

10 – Tipi i kompletuar, shumëdimensional. Në këtë rast, personi analizon të gjithë faktorët që e bëjnë një martesë të suksesshme, duke përfshirë faktorin emocional, racional, fizik, social, fetar etj… Ky është tipi më i mirë i zgjedhjes, pasi bazohet në disa baza të fuqishme.

Sakaq, disa njerëz thonë se faktori fe, është faktori i vetëm mbi të cilin duhet të bazohet martesa, duke sjellë si argument hadithin e Profetit a.s:”Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, tu mbushshin duart me dhe!”

Sipas këtij hadithi, feja dhe përkushtimi fetar gëzojnë prioritet në zgjedhjen e bashkëshortes. Lidhjet e djalit apo vajzës me fenë, janë lidhje me Zotin, prej të cilave rrjedh dhe respekti i humanizmit të njeriut dhe dinjitetit të tij, pasi njeriu shihet si krijesa më e privilegjuar. Ashtu siç shihet si formë respekti për jetën, e cila është mirësi e Zotit. Bazuar në këtë, jeta bashkëshortore ndërtohet në bazë të konceptit të shenjtërisë, konceptit të respektit, dinjitetit, dashurisë, mëshirës dhe paqes. Të gjithë këto koncepte janë faktorë suksesi të jetës bashkëshortore. Kushdo që i injoron këto faktorë në jetën bashkëshortore, jeta me të duket shumë e vështirë.

Megjithatë, nuk ka përse ti harrojmë dhe aspektet e tjera, të cilat ceken në hadithe të tjera të Profetit a.s. “Gratë më të mira janë ato të cilat kur i sheh të falin gëzim, kur i urdhëron të binden, kur ta jep besën e mban dhe kur je larg saj, të ruan nderin dhe pasurinë.” (Nisaij)

Shohim që hadithi fillon me pamjen hareshme të gruas, mandej i cek edhe cilësitë e tjera sjellore. Mugire ibnu Shube kishte kërkuar dorën e një gruaje dhe kur i tregoi Profetit a.s, i tha:”Shko dhe shihe, sepse është mënyra e duhur për një jetë bashkëshortore më të lumtur.” (Tirmidhij)

Shikimi në hadithin e mësipërm, ka të bëjë me aspektin fizik të femrës.

Kur Profeti a.s dëgjoi për martesën e Xhabir ibnu Abdilah me një vejushë, e pyeti:”Përse nuk u martove me një vajzë o Xhabir, që ta përkëdhelësh dhe të përkëdhelë?!” (Buhari dhe Muslim)

Nga të gjithë hadithet e mësipërme, kuptojmë që i dërguari i Zotit a.s e konsideronte fenë dhe moralin, si faktorët më të rëndësishëm gjatë zgjedhjes së shokut të jetës. Megjithatë, ai nuk i injoroi faktorët e tjerë mbi të cilët bazohet një martesë e suksesshme, ku hyn dhe faktori i tërheqjes fizike.

Dashuria me shikim të parë. Sekreti i tërheqjes së menjëhershme tek disa persona:

Kjo i referohet gjasave të mëposhtme, të dyjave ose njërës:

1 – Eksperiencat e hershme në jetë. Në mendjet tona, regjistrohen kujtime të bukura me persona të caktuar, të cilët janë kujdesur dhe na kanë trajtuar me respekt e dashuri. Prandaj, kur prezantohemi me një person i cili mban cilësi dhe tipare të atyre që janë përkujdesur për ne, na kanë dashur e i kemi dashur, tërhiqemi prej tyre. Në shumicën e rasteve, kjo ndjenjë është false, pasi pothuajse është e pamundur që një person të ketë të njëjtat cilësi dhe tipare të një personi të dashur. Madje, ata mund të jenë krejtësisht të kundërt, edhe pse kanë disa cilësi të përbashkëta.

2 – Pëlqimi mund të jetë shumë i shpejtë dhe i rrufeshëm, për shkak të zbulimit të një tipari të rëndësishëm tek pala tjetër. Këtë tipar të cilin e kërkon me kohë, me ta konstatuar jepet dhe tërhiqet pas tij. Personi tek i cili e konstatoi këtë tipar, mund ta ketë realisht ose jo. Prandaj është shumë i rëndësishëm takimi i parë, ku realizohet pranimi dhe qetësia shpirtërore, ose e kundërta, sipas mënyrës që jemi programuar më parë dhe imazheve mendore të regjistruara në tru.

Dashuria dhe kokëfortësia:

Kur një person mbërthehet nga ndjenja e fuqishme e dashurisë, ai bëhet shumë kokëfortë, duke mos dëgjuar këshillat e askujt, madje as zërin e ndërgjegjes së tij. Ai dëshiron ta përjetojë të pastër atë dashuri, edhe pse mund të jetë mashtruar. Ëmbëlsia dhe kënaqësia që i fal ndjenja e dashurisë, i kapërcen llogaritë logjike. Sa më shumë ti kërkohet të largohet nga i dashuri/e dashura, aq më shumë insiston dhe bëhet më kokëfortë. Prandaj, mënyra më e mirë është që të mos ushtrohet presion mbi të, me qëllim që ta eksplorojë palën tjetër gjatë fejesës p.sh. Gjatë kësaj periudhe, ai/ajo prezantohen me të metat e palës tjetër, të meta të cilat nuk i konstatonte dot gjatë asaj ndjenje dehjeje dhe kokëfortësie.

Në këtë mënyrë, ne ia delegojmë kompetencën e ndryshimit të mendjes atij/asaj. Raste të tilla i hasim kryesisht tek të rinjtë të cilët insistojmë dhe këmbëngulin për një person të caktuar. Bazuar në ndjenjat e papërballueshme të dashurisë, ata nuk konstatojnë asgjë të keqe në atë lidhje. Në raste të tillë të gjithë orvatjet për ta bindur për të kundërtën dështojnë, madje sa më shumë të orvatemi ta bindim, aq më shumë i shtohet kokëfortësia. Kështu, çështja shndërrohet në një betejë vullnetesh, pas të cilave fshihen të metat e “të dashurit/dashurës” dhe ku eklipsohet logjika.

Zgjidhja më e mirë në raste të tilla është ndërprerja e orvatjeve për ta bindur për të kundërtën, por kjo nuk do të thotë të ndërpriten dhe këshillat e sinqerta për palën e mashtruar. Vajza/djali nuk duhen lënë vetëm në këtë eksperiencë iluzionare. Që në rastin kur familja pranon ta studiojnë djalin/vajzën, pse jo dhe fejesën, pak e nga pak mes dy të rinjve fillon të shfaqet e vërteta. Sidomos gjatë fejesës, pala e mashtruar fillon të reflektojë plotësisht ose pjesërisht, e ndoshta ndryshon mendim duke e prishur fejesën. Por edhe në rast të kundërt, familja duhet ta pranojë këtë realitet të ri, pa i kursyer këshillat. Le të jetë vetë djali/vajza, ai/ajo që do e mbajë përgjegjësinë e kokëfortësisë. Padyshim që edhe në këtë rast kemi të bëjmë disavantazhe, të cilat në krahasim me situatën e ndezur dhe pa rrugëzgjidhje janë më të pakta.

Nevoja është bazë e rëndësishme në marrëdhëniet bashkëshortore:

Në këtë rast, nevoja është një term që përfshin nevojat fizike, emocionale, mendore, sociale dhe shpirtërore. Prandaj, ata që nuk kanë nevoja, nuk janë të suksesshëm në lidhjen e tyre martesore. Kështu, një egoist dështon në martesë. Po ashtu koprraci, narcizisti, pragmatisti etj… pasi ata nuk e ndjejnë nevojën e përhershme për palën tjetër, ose sepse nevojat e tyre janë sipërfaqësore, pragmatiste dhe të përkohshme.

Personat me eksperienca të kaluara:

Ekziston një besim i tillë, sipas të cilit një person me eksperiencë të kaluar në martesë, djalë apo vajzë qoftë, ka më shumë shans të ketë sukses në marrëdhëniet bashkëshortore. Kjo për shkak të përvojës që ka akumuluar, por që ky besim nuk është i vërtetë. Martesa është një lidhje dyshe dhe shumë specifike, ku rezultatet e përvojës të parë, nuk vlejnë të zbatohen me shokun/shoqen e jetës aktual. Përkundrazi, përvoja e mëparshme mund të shërbejë si pengesë në komunikimin me partnerin aktual. Kjo, sepse mund të përgjithësohen të njëjtët faktorë suksesi dhe dështimi dhe të zbatohen në martesën e re, gjë e cila është e gabuar. Personi me përvojë martesore, mund t’ia delegojë ndjenjat negative nga martesa e parë, edhe partnerit aktual dhe të pafajshëm. Kështu e kemi më të qartë këshillën e Profetit a.s ofruar Xhabirit për tu martuar me një vajzë beqare dhe jo me një grua të ve. “Përse nuk u martove me një vajzë o Xhabir, që ta përkëdhelësh dhe të përkëdhelë?!” (Buhari dhe Muslim)

Dy persona të cilët e fillojnë jetën e tyre bashkëshortore si një faqe e bardhë, janë më të predispozuar për një martesë të suksesshme, sesa kur njëri ose të dy kanë një eksperiencë të kaluar, gjë e cila mund të ndikojë në marrëdhënien e re.

Së fundmi: Këto ishin disa pishtarë për të ndriçuar rrugën drejt një martese të suksesshme, si për të rinjtë dhe për prindërit e tyre. Në fund, e lusim Zotin ti japë sukses çdo bashkëshorti dhe bashkëshorteje të cilët kanë si palë të tretë vetë Zotin. Për bashkëshortë të tillë, vlen rasti kur dikush e pyeti Hasen Basriun:”Vajzën time e kërkojnë shumë njerëz, kujt t’ia jap?” Hasen u përgjigj:”Martoje vajzën me një person që i frikësohet Zotit dhe është i devotshëm. Nëse do e dojë, do e nderojë. Në të kundërt, nuk do e persekutojë.”

Zgjedhja e shokut të jetës 1

Nga: Muhamed Elmehdij

Perktheu: Elmaz Fida