“Zgjedhjet në Libi duhet të mbahen ashtu siç është rënë dakord”

Konferenca e dytë e Libisë përfundoi në Berlin me një deklaratë përfundimtare, e cila thekson nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë vend ashtu siç është rënë dakord, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Zgjedhjet Kombëtare Presidenciale dhe Parlamentare të planifikuara për më 24 dhjetor 2021 duhet të zhvillohen siç është rënë dakord në udhërrëfyesin e miratuar nga Forumi i Dialogut Politik Libian (LPDF) në Tunis në nëntor 2020 dhe rezultatet e tyre duhet të pranohen nga të gjithë. Rregullimet legjislative duhet të miratohen”, thuhet në deklaratë.

E organizuar nga Gjermania për herë të dytë, në konferencë u diskutua procesi politik i Libisë, zgjedhjet kombëtare të planifikuara për më 24 dhjetor dhe tërheqja e të gjitha forcave të huaja dhe mercenarëve nga vendi.

I mbajtur nën kujdesin e OKB-së dhe Gjermanisë, në takim morën pjesë kreu i Këshillit Presidencial të Libisë Mohammed al-Menfi dhe kryeministri Abdul Hamid Dbeibeh, i Dërguari Special i OKB-së në Libi Jan Kubis dhe ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse.

Marrëveshja e vitit 2019 për bashkëpunim në fushën e sigurisë midis Turqisë dhe Libisë është vlerësuar për ndihmën në përfundimin e luftës civile në vend dhe promovimin e paqes dhe unitetit nën qeverinë legjitime.

Komunikata nënvizon rëndësinë e adresimit dhe zgjidhjes së shkaqeve themelore të konfliktit gjithashtu, duke thënë se sektori i sigurisë duhet të “reformohet dhe vendoset fort nën autoritetin dhe mbikëqyrjen civile të unifikuar”.

Dokumenti gjithashtu thotë se një shpërndarje transparente dhe e drejtë e burimeve duhet të sigurohet në gjithë vendin.

“Shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, si dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar, duhet të adresohen dhe duhet të fillojë një proces i pajtimit kombëtar gjithëpërfshirës, ​​i plotë dhe i bazuar në të drejta, si dhe drejtësia tranzicionale. Dialogu gjithëpërfshirës brendalibian duhet të vazhdojë”, thuhet më tej.

Pjesëmarrësit përsëritën dhe riafirmuan angazhimet e tyre të bëra për herë të parë në konferencën e Berlinit në janar 2020.

Në maj, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu tha që luftëtarët dhe mercenarët e huaj duhet të largohen nga Libia, por këto forca nuk duhet të ngatërrohen me forcat legjitime që trajnojnë ushtrinë e Libisë sipas një pakti me qeverinë legjitime.