Një zyrtar kinez ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për ndikimin e përshkallëzimit të situatës në ekonominë globale.
Liu Pengyu, zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington, deklaroi për agjencinë Reuters se mungesat globale të karburantit po shkaktohen nga “situata e tensionuar në Lindjen e Mesme”.
“Detyra urgjente është t’i jepet fund menjëherë operacioneve ushtarake dhe të parandalohet që trazirat në Lindjen e Mesme të ndikojnë më tej në ekonominë botërore”, tha ai.
Deklarata erdhi pasi Sekretari i Thesarit i SHBA-ve, Scott Bessent, kritikoi Kinën, duke e cilësuar si një “partner global të pasigurt” dhe duke e akuzuar për grumbullim rezervash nafte dhe kufizim eksportesh.
Zyrtari kinez theksoi se vendi i tij po punon aktivisht për t’i dhënë fund konfliktit dhe do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv.
Ndërkohë, presidenti i Kinës, Xi Jinping, paraqiti një plan me katër pika për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, duke theksuar parimet e bashkëjetesës paqësore, sovranitetit kombëtar, sundimit të ligjit ndërkombëtar dhe koordinimit mes sigurisë dhe zhvillimit. /mesazhi








