Dita e madhe e Arafatit … Një ditë si kjo

Një prej emrave të bukur të Allahut të Lartësuar është ‘el Hakiim’ që don të thotë ‘i Urti’ dhe Ai me urtësinë e Tij ka veçuar nga krijesat e Tij disa nga të tjerët dhe i ka favorizuar mbi të tjerët.  ” Dhe, Zoti yt krijon ç’të dojë dhe Ai zgjedh…” (Kur’an 28;68 )

Nga njerëzit p.sh. i ka veçuar Pejgamberët dhe prej tyre ‘Ulul Azmin’ e pastaj prej tyre të Dërguarin tonë Muhammedin (sal-Allahu alejhi we sel-lem.) Nga vendet i ka veçuar me vlerë dy haremet, Mekkën dhe Medinën e nga muajt e ka veçuar në vlerë dhe pozitë mbi gjith muajt muajin e bekuar të Ramazanit dhe në të e ka vendosur natën më të madhe dhe më me peshë të vitit e quajtur ‘ Nata e Kadrit’. Ndërsa nga ditët (për nga tërë viti) Allahu me urtësinë e Tij e ka zgjedhur dhe veçuar ditën e nëntë të muajit dhul hixheh që është dita e Arafatit. Allahu këtë ditë e favorizoji mbi çdo ditë në vit dhe ia ngriti vlerën, rëndësinë dhe pozitën dhe caktoi që të përkryje mu në këtë ditë edhe fenë e Tij të pastërt. Umeri (radij Allahu anhu) tregon:”

Një njeri nga jobesimtaret tha:” O prijës i besimtarëve, një ajet gjindet në librin tuaj që e lexoni,sikur të ket zbritur mbi ne qifutet, do t’a merrnim atë ditë për festë” “Cili ajet ?” Tha:

{…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…} (Pjesë e ajetit 3 të surës Maideh)

Umeri ( radij Allahu anhu ) tha: ” Ne me të vërtetë e dijmë atë ditë në të cilën i zbriti ky ajet të Dërguarit (sal-Allahu alejhi we sel-lem). Ai ishte në këmbë në ditën e arafatit në ditën e xhuma (e premte)

Në këtë ditë Allahu (subhanehu we teala) zbret në qiellin e dunjas, ashtu si i përket madhështisë së Tij dhe krenohet para engjujve. Në këtë ditë lirohen më së shumti robër nga xhehennemi. Transmetohet nga Aisha (radij Allahu anha) se i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) ka thënë:” Nuk ka ditë ku më së shumti Allahu liron robër nga zjarri se sa në ditën e Arafatit. Ai e zbret mirësinë dhe mëshirën e Tij (sipas dijetarit Mubarekfuri, dhe është vërtetuar poashtu që Allahu subhaneh, ashtu si i përket madheshtisë së Tij, zbret në këtë ditë të veçantë) dhe pastaj krenohet para Engjujve dhe thotë:” çka dëshirojnë ata” [ Shënon Muslimi]

Dita e Arafatit është prej ditëve të dhul hixhës (e nënta ditë) në të cilat është betuar Allahu dhe si rrjedhojë çdo mirësi që i përket ditëve të dhul hixhës padyshim se vlejnë edhe për këtë ditë si p.sh. këto në hadithin vijues që shënon Darimiu në sunenin e tij:” :”  Nuk ka vepër më të pastërt tek Allahu (az-ze we xhel-l) e as me shpërblim më të madh për çfarëdo të mire të ket bërë se sa në dhjetëshin e kurbanit (10 ditët e dhul hixhes)”

Thanë: “O i Dërguari i Allahut, as lufta në rrugën e Allahut?”

Tha (sal-Allahu alejhi we sel-lem) :” As lufta në rrugën e Allahut, përveç një burri i cili del me vetën e tij dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre!”

Dita e Arafatit është dita kryesore dhe më e rëndësishmë e shtyllës së pestë të Islamit ‘Haxhit’. Është vërtetuar se i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) ka thënë: “Haxhi është Arafat”

Agjërimi në këtë ditë

Agjërimi në këtë ditë është sunnet i fortë dhe ka shpërblim gjigant, ai i shlyen gjunahet e dy vitëve me lejen e Allahut.

Transmetohet nga Ebu Katadeh ( radij Allahu anhu) të ket thënë:” Është pyetur i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) për agjërimin e ditës së Arafatit, e ai (sal-Allahu alejhi ëe sel-lem) ka thënë:

“Ai i fshinë (veprat e këqija) të vitit të kaluar dhe atij që ka mbetë ” [Shënon Muslimi] Ndërsa me një transmetim tjetër thuhet:” Llogaris tek Allahu që ti shlyej mëkatet e vitit të kaluar dhe atij që vjen”

(Shënon Muslimi)

Cilën lutje t’a shpeshtojmë në këtë ditë?

Transmetohet nga Amr ibn Shuajb e ai nga babai i tij i cili transmeton nga gjyshi i tij se i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) ka thënë:” Lutja më e mirë është lutja e ditës së Arafatit, dhe lutja më e mirë që kam thënë un dhe të dërguarit para meje  Nuk ka Zot (që meriton adhurimin me të drejtë) përveç Allahut, i vetëm pa rival, Atij i takon sundimi dhe Atij i takon falëndërimi dhe lavdërimi, dhe Ai është i plotëfuqishëm për çdo gjë)  [ Shënon Tirmidhiu dhe dijetari Albani e klasifikon si hadith hasen/të mirë në “Sahih et Terghib”]

Lusim Allahun të n’a mundësoj që të përfitojmë nga kjo ditë madhështore dhe lusim Atë të n’a udhëzoj në vepra të mira me të cilat është i kënaqur Ai (subhanehu we teala). Vetëm Atij i takon falëndërimi dhe lavdërimi!

Allahu dhuron suksesin!

Përgatiti: Hoxhë Ardian Elezi