Fiton Arsenali i Xhakës dhe Mustafit

Arsenali ka arritur fitore me rezultat 2-0 ndaj Brighton-it, në kuadër të xhiros së shtatë të Premier Ligës.

‘Topçinjtë’ e filluan mirë ndeshjen duke kaluar në epërsi 1-0 përmes Nacho Monreal (17’), rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Edhe në pjesën e dytë, ‘The Gunners’ ishin më kërkues ndaj golit, duke arritur të dyfishojnë epërsinë përmes Alex Iwobi (56’), që rezultoi të ishte edhe goli i fundit i takimit në ‘Emirates’.

Në formacionin startues të londinezëve ishin edhe dyshja shqiptare, Shkodran Mustafi dhe Granit Xhaka.

Mustafi luajti të gjithë ndeshjen, ndërsa Xhaka deri në minutën e 83-të.

Tre pikët e reja e ngrisin Arsenal-in në pozitën e pestë në tabelën e Premier Ligës me 13 pikë të grumbulluara, ndërsa Brightoni mbetet me shtatë pikë, në po aq ndeshje të zhvilluara.