Kërkohet përshpejtimi i mbarimit të punëve në stadiumin e Prishtinës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, me të cilin ka biseduar për realizimin e objektivave qeverisëse sa i përket futbollit kosovar dhe infrastrukturës, por edhe plotësimit dhe zbatimit të Ligjit për Sponsorizim.

Në këtë takim miqësor u theksua nevoja e përfshirjes së MKRS dhe Ministrisë së Financave në përshpejtimin e mbarimit të punëve në stadiumin e KF “Prishtina”, me ç’rast u kërkua që të shikohet mundësia që gjatë rishikimit të buxhetit të shtetit për vitin 2017 të intervenohet me rreth 3 milionë euro që garantojnë kryerjen e këtij stadiumi të standardeve të UEFA-s, si dhe të nisë operacionalizimi i punëve rreth stadiumit nacional në Bërnicë.

Kryetari i FFK-së Fadil Vokrri e njoftoi kryeministrin Haradinaj për fillimin e studimit të fizibilitetit për stadiumin kombëtar, që do të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës dhe kapacitetet që ai do të ketë si dhe për objektet e tjera përcjellëse.

Kreu i FFK-së Vokrri ia dhuroi Haradinaj fanellën e përfaqësueses kosovare në futboll, me numrin 1, për çka kryeministri ishte shumë mirënjohës.