Kultura e “gender” … shkrirja e identitetit dhe humbja e familjes

Nga termat e turbullt dhe mashtrues që janë bërë të zakonshëm gjatë viteve të fundit në lidhje me çështjet e gruas dhe familjes, madje edhe çështjet shoqërore në përgjithësi, është termi “gender”. Ky term filloi të shfaqej në vitet 80 të shekullit XX , rreth vitit 1988 në fjalorin e lëvizjeve feministe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më pas ai kaloi në Evropë dhe u bë shumë i përhapur që prej vitit 1994, gjatë Konferencës së Popullsisë që u mbajt në Kajro asokohe, dhe u përdor edhe më fuqishëm në Dokumentin e Pekinit të vitit 1995. Përhapjen e tij e ndihmuan konferencat e njëpasnjëshme të Kombeve të Bashkuara dhe dokumentet e shumta të tyre.

Kuptimi i “gender”-it

Fjala “gender” është një term anglisht, me prejardhje latine, dhe në kuptimin gjuhësor i referohet Genus—d.m.th. “gjinisë” në aspektin e mashkullit dhe femrës. Mirëpo koncepti i gender-it është i paqartë, i shtrirë dhe i luhatshëm, dhe ka ngritur shumë debat rreth qëllimeve të tij të vërteta.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon “gender-in” si: tiparet që bartin burri dhe gruaja si cilësi të ndërthurura shoqërore, të cilat nuk kanë lidhje me dallimet organike apo trupore; që do të thotë se ndryshimi biologjik mes mashkullit dhe femrës nuk ka lidhje me zgjedhjen e sjelljes seksuale që secili ushtron. Kjo, padyshim, përmban një thirrje të qartë për normalizimin e sjelljeve seksuale të devijuara.

Enciklopedia Britanike e përkufizon “gender-in” si: ndjesia e njeriut ndaj vetes si mashkull apo si femër; dhe rrjedhimisht, nëse burri kryen rolin e gruas ose gruaja rolin e burrit, atëherë nuk do të kemi mashkull ose femër, por thjesht “tip”—domethënë “gender”.

Lidhja e termit me lëvizjet feministe

Kështu, që prej shfaqjes së tij, termi “gender” është lidhur ngushtë me lëvizjet e “emancipimit të gruas”. Prandaj është një term që i drejtohet më shumë femrave sesa meshkujve, dhe synimi i tij kryesor është femra, me qëllim final vendosjen e asaj që quhet “feminizëm radikal” përballë “shoqërisë patriarkale”.

Ky model i ri shoqëror lidhet me globalizimin social, i cili kërkon të vendosë vlera dhe koncepte të reja brenda procesit të globalizimit të shoqërive njerëzore, duke rrëzuar norma, vlera dhe koncepte që njerëzimi i ka njohur për mijëra vjet, koncepte që i kanë vërtetuar fetë dhe i ka ngjizur vetë natyra njerëzore.

Ata duan që fjala “gender” të zërë vendin e termave burrë dhe grua; fjala “partner” të zërë vendin e bashkëshortit/bashkëshortes; dhe fjalët “partneritet” apo “bashkim” të zëvendësojnë fjalët martesë dhe familje.

Idetë kryesore që promovon koncepti “gender”

Një prej ideve më të rëndësishme që bën pjesë në konceptin e “gender-it” është vënia në dyshim e vërtetësisë së fesë — sidomos të Islamit — duke shpërndarë dyshime të tilla si:

Islami është shkak i mungesës së barazisë mes burrit dhe gruas;

Autoritetin e burrit ndaj gruas;

Çështjen e trashëgimisë;

Çështjen e dëshmisë në gjygj;

HIxhabin

Lejimin e poligamisë për burrat dhe ndalimi i poliandrisë për gratë.

Marketingu dhe imponimi i termit

Ndër mekanizmat më të rëndësishëm përmes të cilëve konceptet helmuese të “gender-it” depërtojnë në shoqëritë arabe dhe islame janë marrëveshjet e nxjerra nga konferencat ndërkombëtare. Ky mekanizëm ndërkombëtar ka natyrë detyruese për qeveritë arabe dhe islame: çdo gjë që ato nënshkruajnë bëhet e detyrueshme për to, dhe moszbatimi shpesh shoqërohet me presione të shumta politike dhe ekonomike.

Për shembull, në Konferencën e Romës për themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare (1998) u theksua se çdo dallim i bërë mbi bazën e “gender-it” përbën krim kundër njerëzimit, dhe se autorët e tij duhet të ndëshkohen me një dënim të ashpër!

Shtrirja dhe imponimi i konceptit

Për ta promovuar dhe imponuar termin në të gjitha shoqëritë, Konferenca e Hagës e vitit 1999 bëri thirrje për krijimin e një strukture të posaçme në çdo shkollë të çdo vendi të botës, me qëllim:

shkatërrimin e imazhit tradicional dhe “negativ” të identitetit gjinor,

mësimin e brezit të ri — veçanërisht adoleshentëve dhe të rinjve — të ashtuquajturave “të drejta seksuale dhe riprodhuese”.

Konferenca gjithashtu u bëri thirrje qeverive që të miratojnë ligje të reja që i lejojnë adoleshentët dhe të rinjtë të “gëzojnë të drejtat e tyre seksuale” pa asnjë dallim mes mashkullit dhe femrës!!

Vlerësimet e ekspertëve

Shumë psikologë dhe sociologë janë të mendimit se koncepti “gender” synon, ndër të tjera:

anulimin e rolit të babait,

refuzimin e familjes dhe martesës,

shpalljen e trupit të gruas si pronë të saj absolute,

promovimin e sjelljes së shthurur,

refuzimin e lindjes së fëmijëve,

lejimin e abortit dhe të sjelljeve seksuale të devijuara.

Megjithatë, për të maskuar këto qëllime, koncepti “gender” në botën arabe dhe islame promovohet si thjesht: Një thirrje për t’i dhënë gruas të drejtat e saj dhe për ta barazuar atë me burrin në të drejtat dhe detyrimet shoqërore e njerëzore, pa cenuar vlerat dhe moralin.

Përpjekja për të rrëzuar familjen

Nuk mund të ndahet koncepti i “gender-it”, i cili promovohet dhe përpiqet t’u ngulitet në mendje brezave të rinj, nga ky globalizim shoqëror; ai është një nga format dhe emërtimet e shumta të një përpjekjeje të synuar për të shkatërruar familjen myslimane. Në të vërtetë, termi “gender” është një term i turbullt dhe elastik, i cili nuk është gjë tjetër veçse një mjet për të kaluar qëllime skajshmërisht të rrezikshme ndaj familjes, edhe nëse tentohet imponimi i tij nën petkun e dokumenteve dhe konferencave të Kombeve të Bashkuara, të cilat i kanë nënshkruar shumica e vendeve arabe dhe islame dhe që tashmë janë bërë detyruese.

Në realitet, dekadat e fundit kanë qenë dëshmitare të sulmeve të ashpra kundër familjes në shumicën e vendeve të botës. Sulmet më të furishme janë ushtruar mbi familjen në botën arabe dhe islame, ku janë mbajtur konferenca të njëpasnjëshme – në mënyrë të dyshimtë – të cilat i kushtoheshin diskutimit të çështjeve të gruas dhe familjes, me synimin për të krijuar një realitet të ri për familjen myslimane: nëpërmjet promovimit të asaj që quhet “emncipimi i gruas”, barazimi i saj me burrin, përhapja dhe ngulitja e kulturës seksuale, legjitimimi i marrëdhënieve seksuale jashtë martesës, dhe të tjera koncepte mashtruese e të rrezikshme. Kjo fushatë e egër, në fund të fundit, shpreh një dëshirë të fortë të iniciatorëve të saj për të globalizuar plotësisht vlerat shoqërore, duke zëvendësuar vlerat tona shoqërore e familjare të mbështetura mbi etikën islame me vlera të huaja, të dëmshme dhe të ndotura.

Është me të vërtetë e dhimbshme dhe për të ardhur keq ky nënshtrim dhe bindje që tregojnë qeveritë arabe dhe islame ndaj diktateve perëndimore dhe ndërkombëtare në këtë fushë, si edhe rrjedhja e tyre pas kësaj fushate të egër kundër familjes myslimane. Ajo që shohim sot në shumicën e vendeve arabe – laramaninë ndaj globalizimit shoqëror – paralajmëron pasoja tepër të rënda, si në afat të mesëm, ashtu edhe në afat të gjatë; pasi po bëhen përpjekje serioze për të ndryshuar mjedisin shoqëror të rrënjosur në shoqëritë arabe dhe islame, si dhe sistemin e tyre të vlerave të ndërtuara mbi Islamin dhe të qëndrueshme prej shekujsh.

Edhe pse këto përpjekje ecin ngadalë dhe me kujdes për të mos tërhequr vëmendje apo për të mos provokuar reagime të kundërta, qëllimi i tyre përfundimtar është shkulja e identitetit arabo-islam, si dhe shkrirja dhe humbja e këtyre popujve në globalizimin shoqëror e kulturor që po ecën me ritme të shpejta.

Nuk është aspak e çuditshme, në një realitet të mbushur me këto luftëra të nxehta kundër familjes myslimane, që problemet shoqërore dhe familjare të jenë shtuar: beqaria e vonuar, divorcet, abortet, format e ndryshme të shthurjes morale, shpërbërja familjare, dhuna shoqërore dhe dhuna brenda familjes në të gjitha format e saj.

Këto dukuri janë një pasojë e natyrshme e kulturës së “gender-it” dhe e globalizimit shoqëror.

A do të zgjohen vallë sundimtarët tanë, dijetarët tanë dhe intelektualët tanë para se të jetë tepër vonë?!

Autor: Hisam Mukalid

Përktheu: Elton Harxhi