Mbi 14 mijë pacientë janë aktualisht në listë pritjeje për të marrë shërbime në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Gjatë raportimit, në mbledhjen e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të mërkurën është thënë se nga ky numër 12 mijë e 249 pacientë janë në pritje në 14 klinika të QKUK-së, shifër e cila ishte raportuar nga KOHA edhe në shtator të vitit 2025.
“Për Radiologji janë rreth 2 mijë e 900 pacientë që presin për MRI, CT etj. Klinika e Ortopedisë 2478 pacientë për proteza të gjurit dhe kërdhokullës (2020-2025). Në Oftalmologji, 1 mijë e 99, kryesisht katarakte. Kirurgjia Vaskulare 1570-1595 për vena varikoze. Kardiologji invazive 2599, koronarografi + EP + ICD. Kardiokirurgji 110, pritje 4+5 muaj. Kirurgji Torakale, 269, 215 tumore gjiri. Urologji (256 pacientë), Kirurgjinë e Fëmijëve (341 pacientë), Neurokirurgji (109 pacientë), Kirurgji Torokale (269 pacientë), Mjekësi Nukleare (220 pacientë), Kirurgji Plastike (240 pacientë), Kirurgji Maksilofaciale (33 pacientë)”, ka thënë Liridon Gashi, udhëheqës i Divizionit për Mbikëqyrje, Cilësi Dhe Siguri në Punë të SHSKUK-së.
E, 1 mijë e 902 pacientë janë në listat e pritjes në gjashtë spitale të përgjithshme. Ai i Gjakovës nuk ka lista pritjeje.
Ndër shkaqet kryesore të listave të pritjes u theksua mungesa e sallave operative, pastaj e anesteziologëve, si dhe rritja e kërkesës për shërbime shëndetësore.
Është diskutuar edhe furnizimi me barna nga lista esenciale. Në mbledhjen e fundit, të mbajtur më 4 dhjetor 2025, ishte kërkuar që çdo të premte të bëhet përditësimi i gjendjes në uebfaqen e SHSKUK-së.
Ky përditësim është bërë vetëm një herë, më 20 dhjetor, ndërsa nga ajo kohë SHSKUK-ja dhe Bordi nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me moszbatimin e kësaj kërkese.
Në mbledhjen e së enjtes për këtë çështje kryesuesja e Bordit Tetore Olloni ka kërkuar llogari nga drejtori i përgjithshëm Elvir Azizi.
“Në vend të pyetjes sa i takon furnizimit me barna, në mbledhjen e fundit kemi kërkuar që të jetë publike. Të lutem, cila është arsyeja që ajo nuk po përditësohet? A ka mundësi ta delegojmë këtë përgjegjësi që lista e barnave të jetë e përditësuar në uebfaqe”, ka thënë Olloni.
Por për këtë drejtori i përgjithshëm nuk ishte as i informuar.
“Të them të drejtën kërkesa e juaj është adresuar menjëherë edhe është kërkuar prej shërbimit farmaceutik të QKUK-së që me e përditësu çdo javë. Unë nuk e kam përcjellë mbasandej a po përditësohet në vazhdimësi”, është shprehur Azizi.
Në mbledhje është theksuar edhe mungesa në orare të caktuara apo vonesa e mjekëve të angazhuar në ambulancat specialistike. Për këtë nga Bordi është kërkuar që një herë në javë të publikohen emrat e mjekëve që shërbejnë në ambulancat specialistike, si dhe emrat e atyre që janë kujdestarë.








