Ballina Artikuj Pse Kosova nuk është si Krimeja

Pse Kosova nuk është si Krimeja

Nafisa Latic

Krahasimi i mjegullon dallimet mes dy rasteve dhe i shërben narrativës së Kremlinit

Nafisa Latic, Turkey Today

Vizita e parë zyrtare e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Serbi që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës kërkonte një diplomaci të kujdesshme. Zelenskyy dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç diskutuan për marrëdhëniet ekonomike, energjinë, rindërtimin, rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe një marrëveshje të mundshme tregtare.

Serbia vazhdon të mbajë një qëndrim të dyzuar ndaj luftës. Beogradi mbështetet te energjia ruse dhe nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore, por njëkohësisht ka deklaruar mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.

Serbia iu bashkua edhe Platformës së Krimesë në vitin 2023 dhe, pavarësisht kundërshtimit të Moskës, municione të prodhuara në Serbi raportohet se kanë përfunduar në Ukrainë përmes vendeve të treta.

Zelenskyy kërkon ta afrojë Serbinë me Kievin pa e detyruar Vuçiçin të shkëputet nga Moska. Por gjatë vizitës, Kosova u bë pjesë e debatit.

Vuçiç e falënderoi Ukrainën për refuzimin për të njohur Kosovën, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Zelenskyy tha se Ukraina respekton integritetin territorial dhe të drejtën ndërkombëtare, ndaj qëndrimi i saj ndaj pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar.

Ukraina ka të drejtë të mos e njohë Kosovën. Por problemi është vendosja e Kosovës dhe Krimesë në të njëjtin kuadër. Duke i trajtuar të dyja kryesisht përmes konceptit të “integritetit territorial”, Kievi rrezikon të mjegullojë dallimet thelbësore mes tyre dhe t’i japë forcë një prej argumenteve të vjetra të Vladimir Putinit.

Historia e Kosovës nuk fillon me bombardimet e NATO-s në vitin 1999. Në Jugosllavinë socialiste, Kosova gëzonte autonomi të gjerë dhe kishte institucionet e veta. Regjimi i Slobodan Millosheviçit e kufizoi këtë autonomi, duke sjellë represion, krijimin e institucioneve paralele shqiptare dhe më pas konflikt të armatosur.

Në vitet 1998-1999, vrasjet, dëbimet dhe zhvendosjet masive e përshkallëzuan krizën. Pas dështimit të përpjekjeve diplomatike, NATO ndërhyri në mars 1999. Por Kosova nuk u bë menjëherë shtet.

Pas tërheqjes së forcave serbe, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vendosi një prani ndërkombëtare civile dhe të sigurisë. Kosova kaloi pothuajse nëntë vjet nën administrimin ndërkombëtar, ndërsa vazhdonin negociatat për statusin përfundimtar.

Vetëm pas dështimit të bisedimeve, Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Krimea pati një rrjedhë krejt tjetër. Në vitin 2014, kur Krimea njihej ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës, forcat ruse morën kontrollin e pikave strategjike në gadishull.

U organizua një referendum nën praninë ushtarake ruse dhe Moska e aneksoi territorin brenda pak javësh. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e hodhi poshtë referendumin dhe riafirmoi integritetin territorial të Ukrainës.

Edhe aspekti juridik është i rëndësishëm. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare dhe as Rezolutën 1244.

Gjykata nuk vendosi se ekziston një e drejtë universale për shkëputje, por as nuk e konsideroi të paligjshme deklaratën e Kosovës.

Putini e ka përdorur vazhdimisht Kosovën për të justifikuar veprimet ruse. Argumenti i Kremlinit është se Perëndimi ndryshoi kufijtë kur i leverdiste, ndaj nuk mund ta kritikojë Rusinë për të bërë të njëjtën gjë.

Por ky argument funksionon vetëm duke fshirë dallimet historike dhe juridike mes rasteve.

Pastaj ka edhe një ironi të fortë: Kosova ka qenë ndër mbështetësit më të vendosur të Ukrainës, pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e saj. Që nga viti 2022, Prishtina është rreshtuar me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ka ofruar ndihmë për Ukrainën dhe ka strehuar ukrainas.

Për kosovarët, historia e Ukrainës ka një jehonë të veçantë: një fuqi më e madhe që përdor historinë, kulturën dhe identitetin për të përcaktuar të ardhmen politike të një populli tjetër.

Ukraina ka të drejtë të mos e njohë Kosovën dhe Zelenskyy ka arsye diplomatike për të afruar Serbinë me Kievin. Por kjo nuk duhet ta çojë atë në një formulim që dobëson vetë argumentin ukrainas.

Kosova nuk është Krime. Rruga e saj përfshiu represionin, luftën, tërheqjen e forcave serbe, gati nëntë vjet administrim ndërkombëtar dhe negociata për statusin. Nga ana tjetër, Krimea u pushtua dhe u aneksua nga Rusia brenda pak javësh.

Moska dëshiron që bota të besojë se Krimea është “Kosova e Rusisë”. Ukraina nuk është e detyruar ta njohë Kosovën, por nuk duhet të ndihmojë në mjegullimin e këtij dallimi. /tesheshi