Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pse vendet e Gjirit janë skeptike ndaj Trump?

Pse vendet e Gjirit janë skeptike ndaj Trump?

Distancimi i pazakontë dhe frika nga një “maskaradë” diplomatike në Lindjen e Mesme

Situata aktuale në Lindjen e Mesme, ka arritur në një pikë ku diplomacia tradicionale po zëvendësohet nga një mosbesim i thellë, sidomos pas deklaratave të fundit të presidentit Donald Trump për “bisedime të forta” me Iranin.

Siç raporton The Guardian, ky skepticizëm u bë i dukshëm kur Katari, historikisht një ndërmjetës kyç në rajon, ndërmori hapin e pazakontë për t’u distancuar publikisht nga këto negociata të supozuara.

Zëdhënësi i qeverisë së Katarit, Majed al-Ansari, la të kuptohej se Doha nuk është përfshirë në asnjë përpjekje ndërmjetësimi, duke shtuar me dyshim: “Gjithnjë nëse bisedimet po ndodhin vërtet…”.

Ky qëndrim shënon një kthesë rrënjësore nga roli i mëparshëm i Katarit si një urë lidhëse mes SHBA-së dhe grupeve si Hamasi apo Talebanët. Arsyeja kryesore, sipas The Guardian, është se shtetet e Gjirit ndihen të “djegura” nga përvojat e kaluara me administratën Trump.

Bilal Saab, drejtor në grupin këshillimor Trends US dhe ish-zyrtar i Pentagonit, e shpjegon këtë ndryshim të mentalitetit. Ai shprehet se udhëheqësit e Gjirit dikur mendonin se luanin një rol të dobishëm, derisa kuptuan se përpjekjet e tyre ishin të kota.

Saab thekson se ka një ”zhgënjim të grumbulluar” që po ndikon në gatishmërinë e tyre për të ndërmjetësuar, veçanërisht pasi janë bërë shënjestër e drejtpërdrejtë e sulmeve iraniane.

Analiza e The Guardian nxjerr në pah një model shqetësues: sa herë që Trump flet për paqe, pason një përshkallëzim ushtarak. Për shembull, gjatë bisedimeve të kaluara për programin bërthamor të ndërmjetësuara nga Omani, SHBA-të dhe Izraeli kryen sulme ndaj objekteve iraniane.

Kjo ka krijuar bindjen se bisedimet e paqes mund të jenë thjesht një “dredhi” ose një mbulesë për operacione ushtarake të radhës. Bader al-Saif, profesor në Universitetin e Kuvajtit, pohon për The Guardian se është e vështirë të injorohet fakti që “sa herë që fjala negociatë përdorej nga administrata Trump, ne përfundonim në luftë”.

Një tjetër pikë kritike është mungesa e qartësisë se me kë po negocion SHBA-ja brenda Iranit, duke pasur parasysh vrasjen e shumë figurave të larta dhe fshehjen e udhëheqësit të ri suprem, Mojtaba Khamenei. Ndërsa Trump po këmbëngul se lufta po mbaron, ai po shton njëkohësisht numrin e trupave në rajon.

Kjo kontradiktë i bën shtetet e Gjirit të ndihen si “gurë shahu” në një lojë më të madhe mes Uashingtonit dhe Teheranit. Në planin ekonomik, frika është ekzistenciale. Kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit mbetet një “shpatë e Demokleut” mbi eksportet e naftës dhe gazit.

Alex Vatanka nga Instituti i Lindjes së Mesme paralajmëron se Trump, mund t’i “hedhë lehtësisht nën autobus shtetet e Gjirit”, pasi ai i sheh ato kryesisht si burime për mundësi tregtare personale sesa si partnerë strategjikë afatgjatë.

Në fund, analistët si Bader al-Saif sugjerojnë se vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) duhet të nisin negociata të pavarura me Iranin. Duke qenë se kjo nuk është lufta e tyre e drejtpërdrejtë, ata duhet të mbrojnë interesat e tyre kombëtare, pasi, siç thotë Vatanka, “Irani është matanë rrugës ujore” dhe ata do të mbeten gjithmonë shtete në vijën e frontit, pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë. /tesheshi