Riardhja e Profesor Zekeria Rexhës në Kosovë

Hysen Matoshi

Aspekti autorial i Profesor Zekeria Rexhës shpërfaqet nëpërmjet kontributeve të tij lidhur me folklorin, përkatësisht llojet e tij, por edhe lidhur me tematika të veçanta të këngëve folklorike, madje-madje del në pah edhe me kontribute historiografike, që funksionojnë si hyrje në secilën prej pjesëve të veçanta të këtij vëllimi.

Shkruan: Hysen MATOSHI, Prishtinë

Profesor Zekeria Rexha është sinonimi i intelektualit idealist kombëtar, i cili jetoi dhe veproi në njërën ndër periudhat më dramatike të historisë sonë kombëtare. Shumëdimensional në angazhime dhe konsekuent në parimësinë e tij profesionale e intelektuale, njeri që i kishte vënë në shërbim të ngritjes së kombit gjithë kapacitetet e tij profesionale, artistike dhe etike – ky mund të ishte një portret i tij në pak fjalë.

Qëndrimin e tij prej një subjekti aktiv, në vitet e vështira nëpër të cilat kaloi Kosova, më së miri e shpërfaq sintagma e tij e dhënë si gjetje titullore “Ngrehe ballin Kosovë”. Për ngritjen e ballit të Kosovës dhe të kombit shqiptar përgjithësisht, Zekeria Rexha u përpoq gjatë gjithë jetës së tij, veçmas pas rikthimit në Kosovë e deri në kohën kur autoritetet jugosllave e dëbuan në Shqipëri (1941-1958), pra në periudhën kur ishte i angazhuar në shumë plane, qoftë si veprimtar, qoftë si dijetar dhe artist i fjalës. Autorë të shumtë që janë marrë me jetën, veprën dhe veprimtarinë e Zekeria Rexhës, e në rend të parë Vehap Shita, kanë nxjerrë në pah rolin e madh që e pati në nismën e një faze të re për zhvillimin e gjithmbarshëm të shqiptarëve dhe të Kosovës. Në krye të herës duhet thënë se Zekeria Rexha ishte intelektual me bindje antifashiste dhe se i përkiste kësaj lëvizjeje edhe si faktor me rëndësi në Konferencën e Bujanit, ku ishte ndër hartuesit dhe nënshkruesit e Rezolutës së saj historike që afirmonte të drejtën e patjetërsueshme të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por edhe në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kur kishte kryer detyra me rëndësi për jetën institucionale në Kosovë, veçmas në fushën e arsimit, të kulturës e tëpërfaqësimit, gjithnjë deri në rënien në konflikt me strukturat pushtetore jugosllave, që nuk e shihnin me sy të mirë çfarëdo përparimi të shqiptarëve. Për qëndrimin parimor në raport me zhvillimet e kohës, veçmas në raport me shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, por edhe lidhur me kontributin e gjithmbarshëm të Zekeria Rexhës, vlen të sillet këtu pikëpamja e prof. dr. Ymer Jakës, i cili, ndër të tjera, konstatonte: “Ai nuk pranoi të bënte kompromise me politikën e ditës, as t’i sakrifikonte idealet për të cilat kishte luftuar, prandaj shumë shpejt e mënjanuan nga funksionet politike të cilat i kishte ushtruar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mirëpo ai e vazhdoi veprimtarinë e tij pedagogjike, si profesor i Gjimnazit të Prishtinës, dhe atë kulturore si shkrimtar dhe redaktor i revistës “Jeta e re” dhe me punën e tij ai ngeli një intelektual brilant, i cili pas vetes la një veprimtari të rëndësishme si pedagog, shkrimtar, shkencëtar dhe përkthyes, duke i siguruar vetes kështu një vend në historinë tonë të kulturës”.

Kontributi pedagogjik është një sferë tjetër e rëndësishme në biografinë e Zekeria Rexhës, qoftë si drejtues arsimi, pedagog, si hartues, redaktor e përkthyes tekstesh që do të shërbenin në procesin edukativo-arsimor, veçmas pas prishjes së marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë (1948), por jo më pak rëndësi marrin edhe angazhimet e tij për ngritjen e jetës kulturore të shqiptarëve të mbetur nën ish-Jugosllavi, si njëri ndër themeluesit e revistës letrare “Jeta e re”, duke shtuar këtu edhe me kontributet e tij letrare, qësidomos në gjininë e prozës janë ndër të parat në Kosovë, të botuara me pseudonimin Ramë Zuka, ndonëse përdorte edhe pseudonimet Shpend Dukagjini dhe Azi. Në këtë vazhdë do parë edhe punën e tij madhore për sjelljen në shqip të teksteve letrare nga serbokroatishtja dhe frëngjishtja, kryesisht vepra të shquara të autorëve botërorë, ngaqë numri i autorëve shqiptarë atëbotë ishte tejet modest, përkatësisht prurjet e reja letrare, pedagogjike e diturore më shumë ishin të sferës së përkthimeve.

Themelues revistash dhe institucionesh në Kosovë

Një ndihmesë tjetër të rëndësishme Prof. Zekeria Rexha e dha edhe sa i përket krijimit të kapaciteteve të para shkencore në Kosovën e asokohshme. Duke qenë në vijimësi edhe të shkrimeve të botuara në organet e shtypit, gjatë kohës sa jetonte brenda shteti shqiptar, në Kosovë do të shquhet fillimisht me shkrimet e tij shkencore në revistat “Përparimi” dhe “Jeta e re”, në të cilat objekt i trajtimeve të tij bëhen gjuha shqipe, shkolla shqipe, femra shqiptare, Asim Vokshi dhe, sidomos, folklori shqiptar. Megjithatë, duhet theksuar faktin e rëndësishëm se Zekeria Rexha dha kontribut edhe sa i përket themelimit të Institutit Albanologjik, të parit institucion kërkimor-shkencor në Kosovë që do të merrej me historinë e shqiptarëve, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Në të vërtetë, më 8 korrik 1953, në një takim në Beograd, ku ishin të pranishëm një numër albanologësh dhe drejtuesish, u vendos që Zekeria Rexha, bashkë me VojisllavDançetoviqin dhe Hasan Kaleshin, ta hartonin projektstatutin e këtij Instituti, dokumentin bazë me të cilin rregullohej veprimtaria dhe struktura e tij. Përtej kësaj, pas themelimit të Institutit, më 1954 u zgjodh bashkëpunëtor me honorar që të punonte në projektet e sektorëve të gjuhësisë, të folklorit dhe të historisë. Sipas listës së pagave, aty kishte punuar edhe gjatë vitit 1955. Bashkë me Esad Mekulin dhe Hivzi Sulejmanin bënte pjesë në kategorinë e bashkëpunëtorëve të Institutit Albanologjik që vlerësoheshin më së shumti edhe në aspektin financiar, ndërsa bashkë me Hivziun janë bashkëpunëtorët që më gjatë u angazhuan në aspektin kohor. Fati i Institutit Albanologjik ishte i ngjashëm me atë të bashkëpunëtorit të tij, Profesor Zekeria Rexhës. Instituti i mbyll, ndërsa personalitetet e shquara, si profesorët Selman Riza e Zekeria Rexha, u dëbuan në Republikën e Shqipërisë. Pushteti i kohës i largoi nga Kosova ata që atëbotë mund ta bënin një institut albanologjie, me qëllimin që të mos kishte institucione të larta shkencore që do ta studionin kulturën dhe të kaluarën e shqiptarëve.

Pra, ka një lidhje të pashkëputshme ndërmjet Institutit Albanologjik dhe Zekeria Rexhës dhe kjo lidhje besojmë thellësisht se do të përjetësohet më shumë edhe me ribotimin e veprës “Kangë popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë I” në edicionin e sivjetmë të Institutit Albanologjik. Në të vërtetë, shumë herë nga kolegët e Degës së Folklorit, përgatitës të blejve të projektit të Institutit Albanologjik për botimin e trashëgimisë sonë folklorike, është theksuar nevoja e njëribotimi të tillë. Prof. dr. Sadri Fetiu e kishte menduar 70-vjetorin e botimit të parë si një moment të mirë për ribotimin e saj, duke e çmuar si një vepër që shënon fillimet e folkloristikës shqiptare në Kosovë. Kjo përmbledhje është e vlerësuar jo vetëm si një kontribut për botimin e folklorit shqiptar të Kosovës dhe për fillimet e folkloristikës shqiptare ndër ne, por edhe si një dëshmi kulturore-historike e ngritjes së vështirë të shqiptarëve në një kontekst aspak të favorshëm shoqëror. Megjithëse ka një rëndësi të tillë, vepra e përmendur e Zekeria Rexhës nuk e pati fatin e përmbledhjes së tij të tregimeve, të titulluar “Talush Efendija”, e cila e pa dritën e botimit më 1973, përkatësisht një vit pas vdekjes së autorit, në edicionin e “Rilindjes”, natyrisht me pseudonimin Ramë Zuka.

Dënimi i një libri

Ndonëse libri “Kangë popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë I” u botua në 3000 kopje, për opinionin e gjerë mbeti e panjohur, ngase, sikurse dihet, u tërhoq nga shtypshkronja dhe gjithë tirazhi i tij u dogj. Një ekskomunikim i rreptë i librit shqip. Autori, në një autobiografi, pohon se arriti ta merrte një kopje me vete në Shqipëri, e mbase shpëtoi edhe ndonjë kopje tjetër, por përgjithësisht vepra pësoi edhe nga fakti se u ekskomunikua gjithnjë deri në krijimin e rrethanave kur edhe mund të flitej për të. Megjithatë, mbetet e dhëna se pësoi një fat të keq, përkatësisht përjetoi zhdukjen, si vepra e parë shqipe e djegur nga pushteti. Kjo vepër është dëshmia më domethënëse e inkuizicionit politik e ideologjik, e krimit të pashembullt kulturor që u bë mbi shqiptarët nga mekanizmat e shtetit jugosllav, i cili, për fat të keq, në sy të botës çmohej si model i një shteti liberal socialist, që trumbetonte gjithandej liritë dhe të drejtat e njeriut.

Megjithatë, në Institutin Albanologjik ekzistonte një kopje, të cilën më 24 janar 2002, prof. dr. Zymer Neziri e kishte dorëzuar në bibliotekë, e që kam pasur rast ta lexoja. Ndonëse bëhej fjalë për një fotokopje që lexohej me vështirësi, kjo ishte mundësia e vetme e komunikimit me këtë vepër, por gjithashtu ishte edhe mbështetje e ndonjë kontributi studimor të folkloristëve tanë. Megjithatë, para një viti, në hulumtimet e tij për projektin “Instituti Albanologjik 1953-1955”, dr. Nuridin Ahmeti, i cili kishte informacion bazik për këtë vepër dhe informacion të gjithanshëm për autorin e saj, e kishte gjetur një kopje të ruajtur mjaft mirë. Pasi ma dha që ta shihja dhe ta lexoja, së pari munda të vëreja se kjo kopje nuk i kishte vetëm 210 faqe, sikurse pohohej gjithandej për librin “Kangë popullore shqiptaretë Kosovë-Metohisë I”. Në të vërtetë, i kishte saktësisht 225 faqe, ngase ishte bërë një faqosje e dyfishtë te numrat e faqeve 145-160. Pashë se nuk bëhej fjalë për dyfishim të teksteve në këto faqe, ngase ato kishin përmbajtje të ndryshme. Mbase edhe përvoja e paktë e punonjësve të Shtëpisë Botuese “Mustafa Bakija” mund ta kishte shkaktuar këtë “gabim”. Deri në gjetjen e kësaj kopjeje ishim të bindur se ribotimi mund të bëhej përmes një riradhitjeje komplete të librit, por tani që kishim një kopje të këtillë mundësia e botimit anastatik ishte më se reale. Konsideroj se kështu ruhen identiteti dhe vlera monumentale, kulturore-historike plotësisht origjinale e kësaj vepre që mbijetoi njëlloj inkuizicioni, që atëbotë autoritetet jugosllave e zbatonin në sferën e kulturës shqiptare.

Ribotimi në përvjetor

Duke qenë një përvjetor i rëndësishëm i kësaj vepre, vendosëm që të kërkojmë bashkëpunimin me familjarët e Profesor Zekeria Rexhës, përkatësisht lejen e tyre për ta ribotuar. I falënderoj shumë prof. dr. Dukagjin Rexhën dhe Kelmend Rexhën, të bijtë e autorit, për përgjigjen miratuese dhe shumë dashamirëse në raport me këtë nismë të Institutit Albanologjik. Jemi të bindur se bashkërisht, familja e Profesor Zekeria Rexhës dhe Instituti, po bëjmë një veprim të duhur, nëpërmjet të cilit kulturës sonë po i kthehet në një format normal komunikimi me një ndër dëshmitë e para kulturore e shkencore të shqiptarëve të mbetur nën ish-Jugosllavi. Ndonëse jemi vonuar me këtë ribotim, megjithatë e quajmë të rëndësishme këtë ndërmarrje si një nismë për ta vlerësuar drejt dhe saktë punën madhore të nismëtarëve të Rilindjes Shqiptare në Kosovë, ndër të cilët spikat figura e Profesor Zekeria Rexhës.

Në vijim dua të them diçka për dedikimin, përmbajtjen dhe strukturën e kësaj vepre. Nxitja më e madhe e asokohshme për ta hartuar një libër të tillë, sikurse e pohon autori, ishte nevoja për tekste autentike shkollore dhe për formimin e të rinjve shqiptarë nëpërmjet teksteve shqipe e të kulturës së tyre kombëtare. Se sa i vogël ishte numri i botimeve në gjuhën shqipe më 1951, këtë e dëshmon më së miri një bibliografi e librit shqip, e botuar te revista “Jeta e re”, ku krahas librit të Zekeria Rexhës përmendeshin edhe një libër për fëmijë i shkrimtarit kroat Mato Lovrak (përkthim), pastaj tekstet shkollore “Libër leximi për klasën e dytë gjimnaz” (përkthim), “Libër leximi për klasën e tretë gjimnaz” (përkthim) dhe libri “Nga letërsija shqipe (Antologji pjesësh të shkrimtarëve ma të spikatun shqiptarë)” të autorëve Hasan Vokshi e Idriz Ajeti. Sikurse shihet, botimet në gjuhën shqipe ishin të pakta dhe, si të tilla, nuk i përmbushnin as nevojat më elementare të shkollës shqipe. Heqja nga qarkullimi i librit “Kangë popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë I” kishte lënë pasoja të mëdha për jetën arsimore, kulturore e shkencore të shqiptarëve, ishte privim i nxënësve shqiptarë që të mësonin e të formoheshin nga tekste burimore shqipe. Autori, Zekeria Rexha, gjithashtu pohon se një pjesë e këngëve dhe materialeve folklorike ishin marrë nga “Visaret e Kombit”, pastaj nga faqet e revistës “Jeta e re” (që atëbotë botonte mjaft materiale folklorike), por kishte edhe njësi të reja që ishin të vjela rishtas. Nisma e këtillë kishte synim edhe nxitjen e mësuesve dhe intelektualëve shqiptarë që t’i kushtonin rëndësi mbledhjes së folklorit shqiptar. Vetëdija e lartë shkencore e Profesor Zekeria Rexhës nuk manifestohet vetëm nëpërmjet theksimit të rëndësisë që kanë vlerat folklorike shqiptare në tërësinë kulturore kombëtare, por edhe nëpërmjet sistemimit të tyre në këtë vëllim, i cili, bazuar në një tipologji standarde, vjen në gjashtë tërësi, sipas llojeve: I) Kangë kreshnike dhe legjenda, II) Kangë trimash atdhetarë të Rilindjes Kombëtare, III) Kangë djepi (ninulla), IV) Kangë dashtunije, V) Kangë dasme dhe valle, VI) Vajtime.

Aspekti autorial i Profesor Zekeria Rexhës shpërfaqet nëpërmjet kontributeve të tij lidhur me folklorin, përkatësisht llojet e tij, por edhe lidhur me tematika të veçanta të këngëve folklorike, madje-madje del në pah edhe me kontribute historiografike, që funksionojnë si hyrje në secilën prej pjesëve të veçanta të këtij vëllimi. Këto tekste, një pjesë e mirë e të cilave janë botuar edhe në librin e Vehap Shitës, të titulluar “Zekeria Rexha – Patriot humanist, intelektual emotiv”, dëshmojnë për dimensionin e spikatur profesional dhe intelektual të autorit të tyre. Duhet thënë se krahas teksteve të tij autoriale, sikundër është parathënia e vëllimit, pastaj shkrimet me karakter folkloristik dhe historiografik: “Për folklorën e vendit tanë”, “Rapsoditë tona”, “Rilindja shqiptare prej Lidhjes së Prizrenit 1878-1912”, “Bajram Curri”, pa lënë anash as argumentet e këngëve dhe portretet e disa personaliteteve të epikës sonë historike, në këtë libër është përfshirë edhe shkrimi studimor i Lorenc Antonit, i titulluar “Folklori muzikuer në Kosovë e Metohi”, si një kontribut që e plotëson përmbajtjen e këtij vëllimi me këngë popullore.

Profesor Zekeria Rexha i Kosovës

Përtej faktit se ribotimi është risjellje e një monumenti tonë të rrallë kulturor në formatin autentik, se është një mohim i mohimit të këtij libri, ribotimi në këtë format ka edhe dimensionin e pasurimit të literaturës sonë folkloristike, historiografike e kulturologjike me kontributet e ekskomunikuara padrejtësisht për dekada të tëra. Ribotimi do të ofrojë mundësi për studiuesit tanë që të njihen më mirë dhe ta trajtojnë shkencërisht punën e nismëtarit të folkloristikës shqiptare në Kosovës, Profesor Zekeria Rexhës. Dhe, jo vetëm kaq. Riardhja e tij në këtë format mundëson një njohje më të saktë dhe një mundësi më shumë për plotësimin e dimensioneve të tjera të veprës artistike, shkencore e intelektuale dhe të veprimtarisë humane, shoqërore e kombëtare të Profesor Zekeria Rexhës.

Ndër bijtë më të përkushtuar e më besnikë të Kosovës, me veprën e veprimtarinë e tij, ishte edhe Profesor Zekeria Rexha. Nëse nuk bindemi nga ajo që po e themi sot, mjafton të sjellim si dëshmi fjalët vlerësuese të Akademik Aleks Budës, i cili i shqiptoi në ceremoninë mortore, si kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, duke e vënë theksin te raporti i Profesor Zekeria Rexhës me Kosovën: “Ai studioi gjithë pasion kontributin e popullit shqiptar të Kosovës në luftën për çlirim kombëtar. Shokët që punuan bashkë me të kujtojnë me admirim pasionin e tij në punën dhe dashurinë e pakufishme me të cilën ai ndiqte çdo sukses që arrinin vëllezërit e tij kosovarë.

Në kohën kur shoku ynë Zekeria plot optimizëm mendonte për plane të reja studimesh, vdekja e rrëmbeu mizorisht prej nesh. Me Zekerianë ne humbëm një shok të vyer, një punëtor të palodhur dhe vëllezërit kosovarë një bir besnik të Kosovës dhe një luftëtar të paepur për të drejtat dhe përparimin e tyre.”

Duke e përmbyllur këtë tekst, dua të shpreh besimin se kjo riardhje e Profesor Zekeria Rexhës në Kosovën e tij të dashur, nëpërmjet ribotimit të veprës “Kangë popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë I”, përveçse do të zgjojë vëmendjen e albanologëve, njëkohshëm do të pasohet me një vlerësim të denjë dhe meritor nga institucionet e saj kompetente.

Box: Biografi e Profesor Zekeria Rexhës

Zekeria Rexha u lind më 12 maj 1910 në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Pasi që më 1922 shpërngulet në Tiranë, atje më 1925 e përfundon shkollën plotore. Më 1932 e kreu Liceun Frëng të Korçës. Gjatë viteve 1932-1936 ishte sekretar në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë. Ndoqi studimet në Universitetin e Tuluzit, por u detyrua të largohej para diplomimit për shkak të pushtimit italian të Shqipërisë. Më 1939 u kthye në Shqipëri dhe u bashkua në Lëvizjen Antifashiste. Një kohë ishte mësimdhënës në Tiranë, kurse më 1941 u kthye në vendlindjen e tij, në Gjakovë. Më 1942 e themeloi dhe e drejtoi Shkollën Normale të Gjakovës. Pjesë e lëvizjes antifashiste ishte edhe në Kosovë, duke qenë pjesë e strukturave ushtarake dhe politike që dolën prej saj. Ishte pjesëmarrës i Konferencës së Bujanit (31.12.1943 dhe 1 e 2 janar 1944) dhe bashkautor e nënshkrues i Rezolutës së Bujanit. Pas çlirimit kreu detyra të rëndësishme qeveritare në sferën e arsimit dhe të shëndetësisë. Ishte deputet federativ, profesor i Gjimnazit Shqiptar të Prishtinës. Më 1948 përfundon studimet në Degën e Filozofisë të Universitetit të Beogradit, ndërsa më 1958 i kryen edhe studimet në Degën e Romanistikës pranë këtij universiteti, por nuk arriti të merrte diplomën për shkak të dëbimit nga Jugosllavia. Më 1949 ishte ndër themeluesit e revistës “Jeta e re” dhe drejtor i saj. Gjatë viteve 1953-1955 u angazhua gjithanshëm për themelimin e Institutit Albanologjik, ku u përfshi në realizimin e disa projekteve shkencore. Gjatë gjithë kësaj kohe e deri më 1958 u shqua si njëri ndër intelektualët, shkrimtarët dhe përkthyesit më të spikatur të kohës, duke botuar shkrime letrare, studime, përkthime etj. në revistat “Përparimi” dhe “Jeta e re”, sikurse edhe në gazetat “Rilindja” dhe “Flaka e vllaznimit”. Pas dëbimit në Republikën e Shqipërisë, punoi si profesor deri në vitin 1966, kur u zgjodh bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Vdiq më 26 shkurt 1972 në Tiranë. /shenja