Sot, duke filluar nga ora 17:00 do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte njoftuar të martën përmes një komunikate për media se seanca konstituive ishte thirrur për në orën 12:00.
Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, bëri të ditur se pas një kërkese nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, orari i seancës është shtyrë për në 17:00.
Sipas tij, kjo kërkesë u paraqit për shkak të zhvillimeve në Hagë, ku në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së gjatë ditës pritet ta marrë fjalën mbrojtja.
“Data mbetet nesër, ora ka ndryshuar me kërkesë të nënkryetares Vlora Çitaku që për shkak të rrethanave në të cilat gjendemi, nesër, kur do të ketë mbrojtja fjalën e vet gjatë ditës. Në respekt për atë që po ndodhë në Hagë të gjitha subjektet politike kanë pranuar që seanca të mbahet në ora 17:00 dhe pastaj të vazhdohet me votimin e qeverisë”, ka thënë Basha në deklarimin për media pas mbledhjes së kryesisë së partive politike.
Vendimi për caktimin e seancës erdhi një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje siguroi mbi 51 për qind të votave, duke fituar 57 mandate në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës mori 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 mandate. Ndërkohë, 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë.







