Suspendohet profesori Bekim Bejta

Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur të mërkurën që ta suspendojë profesorin Bekim Bejta nga procesi mësimor dhe të gjitha aktivitetet akademike në UP.

Sipas njoftimit të Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë, Bejta është suspenduar lidhur me shkeljet e vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentët. Madje, siç thotë njoftimi, ai pritet të përjashtohet përfundimisht shumë shpejt.

Siç ka mësuar KOHA, Bejta largohet nga të gjitha angazhimet me studentë, i deaktivizohet qasja në platforma sociale dhe në hapësira fizike. Ky vendim mund të jetë i vlefshëm maksimum gjashtë muaj deri në vendimin përfundimtar të Senatit.

Ditëve të fundit, KOHA ka raportuar për kërcënimet, shantazhin e dhunën psikologjike që profesori Bejta ua shkakton studentëve. Audionicizimet shpërfaqin këtë.