Trump emëron Brett Kavanaugh në Gjykatën Supreme

ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot emërimin e juristit, Brett Kavanaugh në Gjykatën Supreme të SHBA-së duke konsoliduar kështu konservatorizmin e institucionit që zgjidh çështjet e mëdha të shoqërisë amerikane.

“Këtë mbrëmje kam nderin dhe privilegjin të njoftoj emërimin në Gjykatën Supreme të SHBA-së të Brett Kavanaugh, një jurist me referenca të jashtëzakonshme”, deklaroi Trump.

“Gjykatësi Kavanaugh ka kredenciale të përkryera, kualifikime të larta dhe angazhim të provuar për barazi para ligjit. Është një jurist brilant me një stil të qartë dhe efikas, i njohur ndërkombëtarisht si një nga mendjet më fine dhe më të mprehta ligjore të kohës sonë”, theksoi Trump.

Aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit të Uashingtonit, Brett Kavanaugh, 53 vjeç, ka qenë gjithashtu këshilltar juridik i ish-presidentit republikan, George W. Bush.

Ai u shpreh shumë i nderuar për zgjedhjen e tij si gjykatësi i nëntë i Gjykatës së Lartë.

“Një gjykatës duhet të jetë i pavarur dhe duhet të interpretojë ligjin dhe jo të bëjë ligjin”, theksoi ai në praninë e Trump dhe para prindërve të tij.