Ballina Lajmet Kosovë Vjosa Osmani: Për koalicion vendos Këshilli i Përgjithshëm

Vjosa Osmani: Për koalicion vendos Këshilli i Përgjithshëm

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se për koalicionin me Vetëvendosjen do të vendosin anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Ajo tha se mbledhja e Këshillit do të ndodhë shumë shpejt sepse nuk ka kohë për të humbur, njofton Klan Kosova.

“Për këtë çështje do të vendosin anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe përfundimisht deputetët që e kanë edhe legjitimitetin  qytetar. Është në ndërgjegjën dhe vullnetin e secilit anëtar të Këshillit dhe besoj që në ditët në vijim do të mblidhen organet e partisë që e kanë detyrën sipas statutit”.

“Kam deklaruar dje dhe e përsëris që për propozime të tilla vendos Këshilli i Përgjithshëm do të bisedojmë me rimandatimin e ekipit tonë për të vazhduar negociatat. Nuk mund të paragjykoj mendimin e anëtarëve sepse secili ka mandat dhe përgjegjësi para qytetarëve”.

Osmani tha se qëndron ende prapa mendimin të saj të djeshëm ku bëri një pyetje për ata që po e bllokojnë koalicionin VV-LDK: “Çfarë do ju duhet partia kur nuk do të ketë më Kosovë?”.

Sa për atmosferën në LDK ajo tha se është një e tillë e anëtarësisë.

“Unë sapo u ktheva nga Reçaku ku ishim bashkë me një ekip të LDK-së për të shprehur nderimin tonë për viktimat e asaj masakre, dhe natyrisht se u takuam me shumë njerëz që janë pjesë e anëtarësisë në LDK, mund të them që atmosfera në LDK është atmosferë e anëtarësisë në LDK”.

Në fund ajo u shpreh se është optimiste dhe se nuk dëshiron që askush t’ia humbë këtë optimizëm.