City bën hap të mirë drejt titullit, mposht rivalin lokal Man United

Manchester City arkëtoi pikët e plota në derbin e javës së 28-të ndaj Manchester United.

Forma pozitive e ekipit të Pep Guardiolës vazhdoi edhe sot ndaj Manchester United, ku triumfuan 4:1 ndaj rivalit të qytetit, shkruan lajmi.net.

Ishte një ndeshje me intensitet të lartë nga të dy ekipet, por më konkret u treguan ‚Citizens‘.

Pjesa e parë kishte një numër të madh rastesh, por që vetëm tre prej tyre u shënuan.

Ishte minuta e 5` e lojës kur mesfushori belg, Kevin De Bruyne shënoi për Cityn, gol ky numër 50 në 201 paraqitjet e tij në Premier Ligë.

Për Manchester United arriti të barazojë Jadon Sancho, në minutën e 22` të ndeshjes. Kjo ishte krejt çfarë mysafirët treguan.

Në skenë doli përsëri super mesfushori De Bruyne për të shënuar golin e dytë personal në këtë takim.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të Cityt 2:1. Pjesa e dytë kishte mjaft intensitet, por vetëm ekipi i Guardiolës bëri spektaklin.

Në minutën e 68` me asistimin e De Bruyne, shënoi Riyad Mahrez për ta dërguar rezultatin në 3:1. Algjeriani doli në skenë edhe në minutën e 90′, për të vulosur rezultatin final 4:1.

Pas kësaj fitore Manchester City e përforcon vendin e parë me 69 pikë, ndërsa United në vendin e pestë me gjithsej 47 pikë.